Teksa Akti Normativ që e bën të detyrueshme mbajtjen e maskave mbrojtëse në ambiente të hapura ka hyrë në fuqi prej më shumë se një jave, policia ka vijuar kontrollin dhe monitorimin e qytetarëve të cilët nuk i binden urdhrit.

Raportohet se në 24 orët e fundit janë gjobitur 644 qytetarë me nga 3.000 lekë secili. Gjatë kontrolleve janë evidentuar dhe ndëshkuar me 3.000 lekë gjobë 523 qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat mbrojtëse.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë konstatuar dhe ndëshkuar edhe 121 pasagjerë që janë kapur pa maska në automjete private, pa lidhje familjare me drejtuesin e mjetit, dhe pasagjerë pa maska mbrojtëse në mjetet e transportit publik. Ndërkohë janë shoqëruar në komisariat 9 qytetarë, të cilët kanë refuzur ti tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit.