Nga data 1 tetor Ministria e Shëndetësisë dhe task-forca anticovid kanë vendosur që të hapin ambientet e mbyllura dhe të brendshme të bar-kafeve, restoranteve dhe pishinave. Lajm u dha më herët nga kryeministri Edi Rama gjatë inspektimit të bizneseve në Vlorë, ndërsa në një deklaratë për mediat, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se taskforca anticovid ka miratuar protokollet e sigurisë për hapjen e bareve, restoranteve dhe pishinave në ambientet e mbyllura. Manastirliu theksoi se respektimi i protokolleve të sigurisë është kusht i panegociueshëm, ku kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve dhe biznesit në mënyrë që në këtë situatë pandemia, infektimet të shmangen sa më shumë duke respektuar rregullat.

Sipas Ministres së Shëndetësisë inspektimi për zbatimin e këtyre masave nga baret dhe restorantet pro dhe në pishinat e mbyllura do të ndiqen me rigorozitet nga task-Forca e inspektimit të protokolleve anticovid policia e shtetit dhe policia bashkiake

Në vijim të Paketës së Masave, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar Protokollet e posatshme të sigurisë për rihapjen nga data 1 Tetor, të restoranteve dhe bareve në ambiente të mbyllura si dhe të pishinave në ambiente të mbyllura, ku distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt

TaskForca e inspektimit të protokolleve anticovid, policia e shtetit dhe policia bashkiake do të inspektojnë zbatimin e protokolleve duke ndërmarrë masat sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Por nëse duam që aktivitetet ekonomike të mos pengohen dhe ekonomia të ecë përpara, duhet të marrim përgjegjësinë që na takon, duke nisur nga institucionet, biznesi dhe çdo qytetar” tha Manastirliu.