Skandali me HECET në Valbonë, aktivisti Arben Kola: I gjithë lumi i ndotur, ky thesar po zhduket

Aktivisti Arben Kola në një lidhje direkte në Fax News ka denoncuar ndotjen masive që po i bëhet Valbonës si pasojë e ndërtimit të HECE

Ai shprehet se i gjithë lumi është ndotur tashmë duke vrarë edhe troftën, peshkun endemik por gjithashtu, po ndërhyhet edhe te shtrati i lumit.

“Është ndotur çdo gur nga pjesa ku vazhdon punimi i tunelit për devijimin e lumit Valbona që është dhe devijimi më i madh që po bëhet në lumë. Gurët janë të veshur me ngjyrën e çimentos, kjo vazhdon gjatë gjithë kohës edhe natën edhe ditën. Veç ndotjes alarmante që ka vrarë edhe peshkun, që është trofta endemike e Valbonës, aty po ndërhyhet edhe te shtrati i lumit, po i marrin edhe zhavorrin edhe inertet. Unë i bëj thirrje çdo shqiptari dhe në veçanti qytetarëve të Malësisë së Gjakovës që të reagojnë mos të heshtin se Valbona është një thesar që nëse zhduket nuk mund të kthehet” shprehet ai.

Ndërsa i pyetur me faktin se pse nuk po reagojnë banorët e zonës ai ka thënë se banorët ndihen të kërcënuar.

Banorët ndihen të kërcënuar nga firma dhe nga bashkia që ka ndërtuar një rreth vicioz, firma Gener 2, polici, politikë të gjithë bashkë. Banorët çdo ditë e më shumë po e kuptojnë se çfarë gjame po i bëjnë vetes duke mos qenë më të ashpër me mafien. Banorët ndihen të frikësuar se kanë nga një bujtinë me të cilën mbijetojnë dhe këto bujtina nuk kanë letra edhe pse kanë 150 vite atje, ndërsa HECI me 22 ligje të shkelura është i pajisur me leje, dhe nëse banorët reagojnë IKMT, bashkia e zonës, policia, mafia, politika do shkojnë tek bujtinat dhe do i kërcënojnë dhe shantazhojnë me prishjen, me mbylljen e bujtinës. Kështu që ata janë të futur në kurth dhe ndihen të pafuqishëm karshi kësaj mafie e cila është vetë politika shqiptare.

Ndër të tjera aktivisti Arben Kola ka bërë një thirrje për ministrin e brendshëm i cili sipas tij duhet të reagojë.

“Një thirrje kisha edhe për ministrin e brendshëm, i cili para disa muajsh u zotua se do të ndëshkonte krimin mjedisor dhe ne veçanti ato ndaj lumenjve, pse nuk reagon. Çdo ditë mund të verifikojnë dëmin që po bëhet, pse nuk reagon çfarë e pengon” u shpreh Kola për Fax News.