Pas 10 ditësh qeveria Rama do të zbarkojë në Shkoder sëbashku me qeverinë Hoti të Kosovës, aty ku do të nënshkruhen edhe 3 marrëveshje të tjera bashkëpunimi me këtë shtet.

Për të garantuar mbarëvajtjen e kësaj mbledhje të përbashkët qeveritare, është kërkuar që forcat e policisë sëbashku me të gjitha organizmat e tjera ligjzbatuese, të jenë në lartësinë e kërkuar të detyres. Shkodraneës nga burime pranë kabinetit qeveritar ka mësuar detaje rreth kësaj mbledhje, që me gjasa do të ketë risinë e saj për shkak se vjen në një periudhë pandemie dhe për pasojë duhet respektuar disa protokolle sigurie. Variantet që po diskutohen janë dy, ai i një mbledhje në një mjedis të hapur, por që respektohet konfidencialiteti i kërkuar, si dhe varianti i dytë i një salle mjaftueshëm me hapësira, ku të mund të ulen të gjithë ministrat e kabinetit, duke mbajtur edhe distancën.

Një tjetër detaj i rëndësishëm është mënyra e takimit dhe ardhjet e ministrave, ku është kërkuar që të shfrytëzohet qendra e qytetit, sic ka ndodhur në mbledhjet e shkuara, për të bërë edhe pritjen e kryeministrit Hoti sic e kërkon protokolli qeveritar. Transmetimi mbetet besnik i vetë kryeministrit përmes televizionit publik dhe atij ERTV, por në konferencën për shtyp pritet të jenë të pranishëm edhe gazetarët ku do të bëjnë pyetjet përkatëse për të dy krerët e qeverisë.

Doganat, linjat hekurudhore dhe hidrocentralet janë 3 marrëveshjet që palët do të nënshkruajnë, por pritet të ketë edhe një analizë sa i përket ecurisë që kanë patur marrëveshjet e mëparshme të firmosura mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, ku shumë prej tyre kanë patur mangësi gjatë zbatimit konkret duke mbetur në kuadrin e asaj që është hedhur në letër.

Me gjasa ardhja e dy qeverive në Shkoder mund të mos kalohet nga ana tjetër prej opozitës pa ndonjë reagim, edhe pse deri më tani nuk ka sinjalizime se partia demokratike mund të protestojë. Megjithatë këtij skenari qeveria i ka paraprirë, pasi atë ditë në Shkoder do të zbarkojë garda e republikës, njësitë speciale dhe FNSH e RENEA, për të mbajtur nën kontroll situatën. Përgatitjet pritet të nisin në këtë qytet që në 23 shtator thonë burimet, për të qënë gati cdo gjë për mëngjesin e 25 shtatorit. Kjo nuk është mbledhja e parë që qeveria bën në Shkoder, duke patur parasysh disa të tilla në këtë qytet.