Nga Esiona Konomi

Në prag të zgjedhjeve, dhe nën presionin e kohës që nuk pret, kryesocialisti Edi Rama ka vendosur ti japë fund situatës së vështirë politike në strukturat e partisë në qarkun Shkodër.

Kryeministri ka vendosur që në drejtimin politik të kryqendrës së veriut të caktojë Ilir Beqajn. Strukturat e këtij qarku ishin pa një drejtues politik prej më shumë se një viti, kur Valdrin Pjetri, i sapocaktuar nga Rama kandidat për bashkinë dhe drejtues për qarkun, u këput nga ligji i dekriminalizimit dhe shkëputi lidhjet me Partinë.

Rama nuk riktheu në këtë pozicion drejtuesin e mëparshëm, Ditmir Bushati, teksa kritikat e ish ministrit kanë qenë të forta ndaj qeverisë.

Vendimi që Ilir Beqaj të udhëheqë socialistët e qarkut Shkodër do të zyrtarizohet në asamblenë socialiste

Në këtë mënyrë, Rama duhet të gjejë një drejtues të ri politik edhe për qarkun Kukës ku deri tani operonte Ilir Beqaj.

Ndërkohë, pritet që Edi Rama të marrë një tjetër vendim me rëndësi: me kë do ta zëvendësojë Vangjush Dakon në Durrës, i cili është ende anëtar kryesie dhe drejtues politik i qarkut.

Burimet i thanë ABC News se Dako është tashmë jashtë loje, të paktën nga funksionet zyrtare dhe se Rama po kërkon për një emër të qëndrueshëm.

Dako dhe familja e tij janë përfshirë në listën e zezë të SHBA, si zyrtarë të përfshirë në korrupsion të rëndësishëm, e që ju ndalohet përjetësisht hyrja në Amerikë

Burimet thanë se ndryshime po ashtu mund të ketë edhe në drejtimin politik të qarqeve të tjera, siç mund të jetë dhe ai i Dibrës /abcnews.al