Socialistët nuk do ti shohim kaq pranë njëri tjetrit në organizimin e radhës të Asamblesë. Për herë të parë, Asambleja Kombëtare e PS do të zhvillohet online, në pamundësi për të mbledhur fizikisht një numër të konsiderueshëm njerëzish , për shkak të pandemisë Covid19
Report tv mëson se Asambleja online nuk do të zhvillohet vetëm në Tiranë, ndonëse aty do të jetë baza kryesore. Selia rozë po shqyrton mundësinë e mbledhjes së ekipeve të saj në 3 rajone të Shqipërisë, rajoni i veriut të organizohet në Shkodër, rajoni qendror në Tiranë dhe jugu në Fier. Të gjitha këto rajone do të jenë në komunikim online me bazën në Tiranë, ku socialistët mendohet të organizohen tek Amifteatri, i cili sipas tyre ka kapacitet mjaftueshëm për të siguruar distancimin e nevojshëm.
Ndonëse nuk është caktuar ende një datë, i sigurt është fakti që Asambleja Kombëtare e PS do të mblidhet brenda javës së parë të shtatorit, pra pa filluar sesioni i ri parlamentar.
Ndryshime të rëndësishme pritet të ketë në kupolën e Partisë Socialiste pasi nga Asambleja do të dalin dhe organet drejtuese të kësaj partie, sekretari i përgjithshëm i Partisë, kryesia, dhe sekretariati ekzekutiv. Sa i përket kryesisë, jo pak pikëpyetje ka për disa nga anëtarët aktual si Ditmir Bushati, Fatmir Xhafaj, Vangjush Dako etj.
Organizimi i Asamblesë do të shtojë dhe ankthin e ministrave, pasi shumë është përfolur dhe për ndryshime në qeveri. Eksponentë të ndryshëm të PS, nuk e kanë përjashtuar si mundësi rifreskimin e kabinetit të qeverisë, ndonëse e kanë lënë në dorë të kryeministrit Rama të vendosë nëse në zgjedhjet e ardhshme do të shkojë me një qeveri të ndryshuar ose jo
Comments are closed.