Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli u largua nga politika aktive në 2017 pas vendimit të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të mos e përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë.

Që nga ajo kohë, ish numri dy i PD nuk i ka kursyer kritikat dhe thirrjet për largim e Bashës nga drejtimi i Selisë Blu.

Në kohën kur vetë Basha bëri thirrje për bashkim, demokratët e Shkodrës propozuan emrin e saj si kandidate për ti përfaqësuar në parlament në zgjedhjet e ardhshme.

Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve një ditë më parë mes shumë emrave të përzgjedhur ka vendosur të njoftojë se është përzgjedhur për në fazën e dytë të procesit edhe ish-nënkryetarja e demokratëve, madje duke shkuar më tej, duke i kërkuar edhe të plotësojë formularin e ku duhet të shpjegojë kontributet që ka në Partinë Demokratike.

Në një bisedë për ABC NEWS, Topalli ka shpjeguar edhe pozicionin e saj në raport me këtë propozim.

Unë nuk jam demokrate e vitit 2005. Unë jam identifikuar me Partinë Demokratike përpara se ajo të lindte, për shkak të historisë sime e të familjes sime. Unë nuk kam qenë kurrë në qeveri, por kam qenë deputete dhe Kryetare Kuvendi për shkak se jam votuar nga qytetarët dhe në pjesën më të madhe të mandateve në maxhoritar. Unë jetën politike e kam të lidhur me demokratët, ata të vërtetët. Ndaj dhe jam mirënjohëse që më kanë propozuar me besimin e shpresën që të bëjmë ndryshimin

Ish-kryeparlamentarja sqaron edhe qëndrimin e saj në lidhje me kërkesën për të plotësuar formularin nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve.

“Formulari nuk demokratizon një forcë politike. Ai është një fyerje. Unë jam prekur nga propozimet e demokratëve. Ata janë idealistë dhe e dijnë që unë i dua ata. Kemi bërë beteja bashkë. Kemi rrezikuar bashkë. Kemi ëndërruar bashkë. Kemi fituar bashkë. Unë jam e lidhur me çdo demokrat. Por unë nuk do i gënjej ata. Nuk i kam gënjyer kurrë. Unë i them atë që mendoj dhe besoj. Nëse vërtetë Lulzim Basha kërkon të largoje Edi Ramën , ai duhet ti lëshojë vendin një njeriu tjetër të pa korruptuar. Vetëm kështu bashkohen demokratët e përçarë dhe largohet Rama”

Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve përmbylli këtë të mërkurë fazën e parë të selektimit të kandidatëve, ndërkohë që të gjithë emrat e përzgjedhur janë njoftuar të plotësojnë formularë mbi të dhënat personale dhe kontributet në parti përpara se të kalojnë në fazën e dytë. abcnews.al