Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se 2 pacientë kanë ndërruar nga koronavirusi gjatë 24 orëve të fundit. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen një 60 vjeçar nga Tirana dhe një 62 vjeçar nga Shijaku me sëmundje bashkëshoqëruese. I shprehim ngushëllimet familjarëve.
Po gjatë këtyre orëve janë kryer 864 testime nga të cilët 158 persona kanë rezultuar pozitivë me Covid. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 81 raste në Tiranë, 10 raste në Shkodër, nga 9 raste në Durrës dhe Vlorë, 6 raste në Korçë, nga 5 raste në Krujë, Fier, Lezhë, Lushnje, Kamëz, 4 raste në Kurbin, 3 raste në Kolonjë, nga 2 raste në Mat dhe Klos, nga 1 rast në Kukës, Kavajë, Berat, Gjirokastër, Sarandë, Tepelenë, Prrenjas.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 57 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3928 , që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 101 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 17 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.
Në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbime të specializuar dhe 27 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën thirrje qytetarëve: Shmangni grumbullimet masive në lokale, bare, dhe çdo lloj eventi apo ceremonie që rrezikon shëndetin tuaj dhe bëhet burim i shpërndarjes së infeksionit.
Sistemi shëndetësor është në gatishmëri të plotë; nga epidemiologët në terren, mjekët e familjes në të gjithë vendin që monitorojnë personat e prekur nga COVID19 dhe deri tek stafet në të dy spitalet COVID që po trajtohen pacientët e prekur apo të dyshuar me infeksionin Sars-Cov 2, ku po punohet pa reshtur në shërbim të çdo qytetari.
Që kjo punë e ekipeve të sistemit shëndësor të vlejë dhe numri i të infektuarve të mos rritet, duhet që, të gjithë të bashkëpunojmë duke respektuar masat e këshilluara nga ekspertët; Ruani distancën fizike, lani shpesh duart dhe mos e prekni fytyrën, përdorni maska ose barriera mbrojtëse në ambiente publike apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca, dezinfektoni objektet që prekni më shpesh dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.
Virusi është ende mes nesh, dhe ne mund ta mposhtim atë vetëm duke respektuar këto rregulla dhe duke u treguar të kujdesshëm në këtë normalitet të ri.
Comments are closed.