Ministria e Arsimit ende nuk e ka vendosur se si do të nisë viti i ri shkollor 2020-2021, që sërish e gjen në mesin e pandemisë covid19

Ministria ka në plan 4 skenarë, por për të vendosur do të marrë mendimin e prindërve të nxënësve. Report Tv ka siguruar formularin me pyetjet që ministria u drejton prindërve, ku janë të zbardhura dhe 4 mënyrat që nxënësit mund të zhvillojnë mësim.

Prindërit pyeten të zgjedhin mes këtyre alternativave

Shkollat të fillojnë procesin mësimor normalisht, me kapacitet dhe funksionim të plotë (nëse është mundësia), duke respektuar rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik.

Shkollat të fillojnë procesin mësimor me grupe të vogla nxënësish, orë mësimore të reduktuara dhe me turne, duke respektuar rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik.

Shkollat të fillojnë procesin mësimor me mësim të kombinuar në klasë dhe online duke respektuar rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik.

Shkollat të fillojnë procesin mësimor vetëm online duke realizuar mësimin në distancë.

Viti shkollor që lamë u mbyll me shumë vështirësi, fillimisht prej tërmetit të 26 nëntorit, e më pas prej situatës që u shkaktua nga covid-19 duke e kthyer mësimdhënien online.

Problematikat e pakënaqësitë ishin të shumta për nxënësit dhe prindërit, kjo edhe për shkak të pamundësisë së aksesit në internet ku shumë fëmijë u përjashtuan nga ky proces.

Deri më tani data 14 shtator është vendosur për rifillimin e procesit mësimor dhe nëse nxënësit do të ulen në bankat e shkollës, do të jenë me turne, apo online e pjesërisht online, do të mbetet të mësohet nga rezultatet e sondazhit me prindërit.