Ish deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia ka hedhur sërish akuza në lidhje me cilësinë e tamponëve dhe testeve serologjike që bën Ministria e Shëndetësisë dhe se rezultatet e saj janë të kundërt me ato të privatit. Edhe pse ISHP doli sot zyrtarisht dhe tha se tamponi dhe testi serologjik nuk janë e njëjta gjë, Spahia shprehet se këto janë deklarata boshe për t’i hedhur hi syve shqiptarëve. Duke sjell në vëmendje rastin e një vajzë që dy herë kishte bërë tamponin dhe i kishte dalë negativ, ndërsa testi i privatit nxori që e kishte kaluar COVID-19, Spahia hedh akuza dhe ngre pyetje se të çfarë cilësie janë tamponët që ka Ministria e Shëndetësisë.
Spahia shprehet se Ministria e Shëndetësisë po gënjen dhe po keqpërdorur një institucion të specializuar si ISHP.
“Të investohesh publikisht, qoftë edhe me urdhër politik, për ta fshehur faktin se tamponët fals negativë po bëhen normë e jo përjashtim, kjo është provë, se përveçse profesionist, nuk je as NJERI! ISHP u detyrua me urdhër nga lart të pranonte sot rolin e zëdhënësit të qeverisë, për të mohuar një realitet që denoncohet si nga mjekë ashtu edhe nga pacientë! Çuditërisht me të njëjtin stil si të ministres së shëndetësisë, të PPP-ve, të tenderëve sekretë e të dokumenteve të djegura e cila dështimin në menaxhimin e situatës së Covid përpiqet ta kalojë duke u fshehur pas personelit mjekësor, që po sprovohet çdo ditë e më shumë mes mungesës së kushteve dhe menaxhimit propagandistik!
Është fatkeqësi që një institucion i specializuar si ISHP keqpërdoret nga ministrja e shëndetësisë në këtë farë feje! Ministrja po thotë përmes ISHP se laboratorët dhe specialistët janë të certifikuar! Por këtë askush nuk e ka vënë në pikëpyetje!!! Pikëpyetjet që kemi ngritur, si shqetësim i personelit shëndetësor e pacientëve janë mbi cilësinë e tamponëve e kiteve që qeveria ka futur në Shqipëri! Përse zonja ministre e shëndetësisë nuk i jep përgjigje këtyre pyetjeve krejt të thjeshta?
Dhe kur tentoni të shpjegoni dallimin midis tamponit dhe testit serologjik, vetem per t’u hedhur hi syve shqiptareve dhe mashtruar me fjalë boshe ata, ky eshte kulmi pastaj !!!
Sa për ilustrim, po risjell edhe njëherë rastin e fundit të denoncuar. Babai i zonjës në fjalë shtrohet në infektiv për shkak Covid-19 dhe aty ndërron jetë. E bija me simptoma të qarta të infektimit me Covid realizon dy tamponë (PCR), të cilat të dy herët dalin negative. Pas pak më shumë se 1 muaj kryen testin serologjik në një spital privat i cili siç shihet përdor testin ELISA një nga më të saktët, i cili dëshmon se e ka kaluar infeksionin Covid. Kjo tregon se dy testet e para PCR kur zonja kishte simptoma, nuk kanë funksionuar. E kuptoni tani shoqja Lenka e ministrise dhe ju Nafijet, që i shërbeni? Kjo është padituria: kur betimi i Hipokratit ngatërrohet me betimin para partisë! Po c’rëndësi ka shëndeti i njerëzve për ju? E rëndësishme është t’ju rrojë partia!
Ndryshe nga militantet që shkelmojnë profesionin, unë nuk jam vetëm “një ish deputet i PD”. Unë jam Bardh Spahia, me profesion mjek dhe po, politikan, që i bëj denoncimet me emër e mbiemër dhe u qëndroj, pasi si profesionist e si politikan, bëj gjithnjë verifikime para publikimit”, shkruan Spahia.
Comments are closed.