Të gjithë i mbajnë mend ekipet mjekësore që u nisën nga Shqipëria drejt Italisë, në një kohë që kjo e fundit ishte në një moment mjaft të vështirë sa i takon Covid 19. Duket se borxhi nga miqtë do të lahet shpejt, pasi Italia ka ofruar mbështetjen e saj ndaj qeverisë shqiptare, për të përballuar situatën në të cilën tashmë po kalon vendi ynë.
Ka qenë presidenti i rajonit të Puglia, Michele Emiliano, ai që është shprehur se do të ketë një angazhim në nivel rajonal në Itali, për të ndihmuar shqipërinë, duke iu ofruar përvojën që u ndoq në pikun e pandemisë në Itali.
Mund të njoftojmë se kemi pasur nderin e madh nga qeveria italiane, nga Departamenti i Mbrojtjes Civile dhe natyrisht edhe nga Ministri Boçia i cili koordinon këtë lloj aktiviteti në nivelin rajonal, dhe jemi ngarkuar me kryerjen e një misioni të veçantë, për të mbështetur sistemin shëndetësor shqiptar për përballimin e Covid bazuar në përvojën që kemi pasur në Itali, ka thënë Emiliano.
Ndërsa ka shtuar se ka pasur një telefonatë dhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Sot do të fillojë takimi i parë me video konferencë midis teknikëve të mi nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Civile dhe homologëve shqiptarë. Disa ditë më parë pata kontakte me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, të cilit ne i ofruam ndihmën tonë.
Pasi të kemi rregulluar të gjitha procedurat, task forca e Mbrojtjes Civile Kombëtare, e mishëruar nga Mbrojtja Civile Apulian, do të niset për në Shqipëri për të dhënë pikërisht kontributin tonë”, ka thënë presidenti i Puglias, që mes rreshtash ka pranuar, se kjo ndihmë bëhet dhe për të shmangur rrezikun ndaj shtetit të tyre, duke iu referuar shkëmbimit shumë të madh njerëzor e tregtar mes dy vendeve.
Misioni synon gjithashtu të parandalojë rreziqet epidemiologjike që vijnë nga Shqipëria, prandaj ne do të operojmë kontrolle ndërkufitare, ka thënë Emiliano. Kujtojmë se në javët e fundit, mediat italiane kanë folur për shumë raste me Covid që kanë mbërritur përtej detit nga Shqipëria, ndërkohë që lëvizja mes dy vendeve është ende e pakufizuar
Comments are closed.