Pasi tha se ka vetëm 82 deputetë legjitim, Presidenti Ilir Meta i është rikthyer kërcënimeve për shpërndarjen e parlamentit.

Kreu i shtetit bëri thirrje që të hiqet dorë nga ndryshimet e njëanshme kushtetuese, ndërsa tha se dëgjonte vazhdimisht zëra “shpërndaje, shpërndaje” duke iu referuar tubimit që organizoi me 2 mars.

Meta sfidoi edhe njëherë maxhorancën, duke thënë se nuk e shkarkon dot.

“Kam që nga 2 marsi që nuk më ikin nga veshi. Degjoj “shpërndaje, shpërndaje” Është momenti që të gjithë ti therrasin mendjes. Kushtetuta nuk preket. Thonë do shkarkojmë presidentin. Unë këtu jam. Koalicionet janë thelbësore për demokracinë. Sovraniteti i përket popullit dhe askujt tjetër. Këtë e ka vendos populli në Kushtetutë” tha Meta.

Në komunikimin e tij javor, Presidenti Ilir Meta u përqendrua në propozimin për ndryshimet kushtetuese. Ai theksoi se ky propozim zeron 9 muaj përpjekje.

“Propozimi për ndryshimet kushtetuese zeron 9 muaj përpjekje. Ndryshimet janë antikushtetuese, janë kundër parimeve të Komisionit të Venecias dhe duhet të nisin të paktën 1 vit para datës së zgjedhjeve. Palët ti qëndrojnë besnike marrëveshjes së arritur.

Kuvendi i Shqipërisë nuk e ka legjitimitetin kushtetues dhe politik për të realizuar ndryshime kushtetuese. Kuvendi ka vetëm 82 deputetë legjitim, që kanë fituar mandatin nga procesi zgjedhor, ku përfshihen edhe 3 deputetë e opozitës, të cilët nuk pranuan, me të drejtë, të dorëhiqeshin” u shpreh Meta.