Botuesi i gazetës ‘Tema’, Mero Baze komenton qëndrimet e fundit të kryeministrit Edi Rama, lidhur me marrëveshjen e 5 qershorit të Reformës Zgjedhore dhe ndryshimet e propozuara nga opozita brenda parlamentit.

Sipas Bazes, nëse Rama e hap këtë debat dhe e lë fakultativ, si ti dalë rrugës, Partia Socialiste dëmtohet rëndë, pasi konsiderohet si e mposhtur nga kërcënimet, duke vënë në pikëpyetje fuqinë e saj elektorale në zgjedhjet e vitit që vjen.

“Në gjithë këtë debat, përgjegjësia e fjalës është tek kryeministri i vendit. Ai është faktor vendimtar nëse këto ndryshime do të bëhen, apo nuk do të bëhen.

Nëse ai thotë do të bëhen, ai i ka gati votat e opozitës parlamentare dhe ato bëhen.

Përgjegjësia rreth hapjes së këtij debati, në të vërtetë ka një peshë më të madhe elektorale, se vetë debati.

Nëse Edi Rama e hap këtë debat dhe e lë fakultativ, si ti dalë rrugës, Partia Socialiste dëmtohet rëndë, pasi konsiderohet si e mposhtur nga kërcënimet, duke vënë në pikëpyetje fuqinë e saj elektorale në zgjedhjet e vitit që vjen”, shkruan Baze, teksa thekson edhe ‘paranojën’ se Edi Rama në minutat e fundit bën një pazar me Lulzim Bashën.

“Rasti i tanishëm është i ngjashëm. Shumica e shqiptarëve duan listat e hapura dhe ndryshime në sistem, jo se kjo gjë do të bëjë çudinë e madhe, por se janë të bindur që kjo është një pengesë për ndryshimet politike në Shqipëri.

Më parë këtë e kanë pas kërkuar dhe disa OJF afër PD, por tani me sa duket janë më dakord me PD, se sa me opinionin publik për këtë çështje.

Në çdo sondazh që është bërë dhe nga kushdo që është bërë, nevoja për hapjen e listave ka një mbështetje që shkon nga 75 për qind në 95 për qind. Tani ta nisësh këtë operacion, ta hapësh këtë debat dhe ta lësh me pikëpyetje, do të thotë të marrësh në shpinë, gjithë kundërshtinë e këtij opinioni publik.

Ndaj Edi Rama duhet të jetë i përgjegjshëm dhe i qartë tani që e ka çelur këtë debat. Çdo tërheqje do të jetë kosto për të. Ai duhet ta çojë deri në fund, duke e votuar në Parlament marrëveshjen që ka nënshkruar me Lulzim Bashën dhe propozimet për ndryshime kushtetuese të opozitës parlamentare.

Votat e socialistëve duhet të jenë të plota për të dyja propozimet. Vetëm kështu ata nuk marrin kosto nga ky debat brenda opozitës. Çdo tërheqje e Edi Ramës nga ky zhvillim, do të ketë peshën e njëjtë që do të kishte tërheqja e mundshme e Edi Ramës nga 30 qershori.

Nëse PD dhe opozita jashtë Parlamentit, tërhiqen pas kësaj, nga marrëveshja e tyre me ndërmjetësinë e SHBA, atëherë PS të votojë fjalë për fjalë rekomandimet e OSBE/ODHIR, që propozojnë dhe depolitizimin e administratës zgjedhore.

Kështu së paku dhe opozita parlamentare fiton një kërkesë të saj. Pastaj PD le të bëjë si ta mendojë për të hyrë në zgjedhje. I ka të freskëta “fitoret” me këtë metodë”, shkruan Baze.