Partia Demokratike ka ndezur motorët për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në mbledhjen e sotme të kryesisë është votuar që anëtarësia e partisë, do të ketë rolin kryesor në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, që mesa duket do të jenë gati në fund të shtatorit.

Sipas dokumentit të miratuar nga Partia Demokratike, e gjithë procedura e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë përfundon në 30 shtator dhe do të bëhet në 4 faza.

Faza e parë, ajo e identifikimit të kandidatëve nis nga dita e sotme dhe përfundon në 31 korrik. Faza e dytë është seleksionimi i kandidaturave të mundshme që do të filloj në 1 Gusht dhe përfundon në 15 Shtator. Faza e tretë është ajo e konsultimit të kandidatëve me anëtarësinë, që do të behet deri në 30 shtator. Ndërsa në fazën e fundit ajo e përzgjedhjes do të bëhet sipas afateve ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor, i cili ende po diskutohet nga palët politike, por që pritet të miratohet brenda qershorit.

Por si do të zgjidhen kandidatët? Kandidatët e listës së Partisë përzgjidhen nga kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia në fazën e dytë, sipas këtij raporti: kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia do të përbëjnë jo më pak se 80 % të listës së kandidatëve të Partisë në zgjedhje, ndërkohë që jo më shumë se 20 % e listës së kandidatëve do të përzgjidhen nga Kryesia e PDSH-së, si prurje të reja nga bota akademike apo shoqëria civile; përfaqësues të të përndjekurve politikë apo pronarëve; përfaqësues të diasporës; përfaqësues të sipërmarrjes; personalitete politike me kontribut të gjatë në parti; etj. Gjatë kësaj faze do të mbahet në konsideratë: (1) përfaqësimi i grave të jetë jo më pak se 30 % e numrit të përgjithshëm të kandidatëve. (2) përfaqësimi i të rinjve të jetë jo më pak se 10 % e numrit të përgjithshëm të kandidatëve. (3) përfaqësimi i shtresës së të përndjekurve politikë apo pronarëve.