Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi ka dërguar një shkresë për institucionet vendore në lidhje me dëmet e shkaktuara në Velipojë gjatë aksionit të IKMT-së disa ditë më parë. Ademi ka evidentuar shkeljet e bëra, ndërsa kërkon zbatimin korrekt të masave administrative dhe penaliteteve zhdëmtuese, në bazë të ligjit dhe akteve nëligjore në fuqi.
Lënda: Për kundravajtjet në Velipojë nga ana e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë së Shtetit: Mbi prodhimin dhe hedhjen e inerteve në vende të pamiratuara dhe ndotje akustike, shkaktuar nga ana e tyre përmes shembjes së strukturave në brezin ranor në njësinë administrative Velipojë, Bashkia Shkodër.
PREFEKTIT TË QARKUT SHKODËR
KËSHILLIT TË QARKUT SHKODËR
DREJTORISË RAJONALE TË MJEDISIT SHKODËR
DREJTORISË VENDORE TË POLICISË SHKODËR
ADMINISTRATËS TË ZONAVE TË MBROJTURA, SHKODËR
DREJTORISË RAJONALE TE SHËNDETIT PUBLIK SHKODËR
Për dijeni:
PROKURORISË PRANË GJYKATËS TË SHKALLËS TË PARË SHKODËR
Në vijim të situatës aktuale në Velipojë, pas veprimeve në kundërshtim me procedurën administrative ligjore, të pasuar nga dëmtime, të shkaktuara nga IKMT, e mbëshetur nga Drejtoria Vendore e Policisë , vërej që:
Inspektoriati Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë, me veprime të pa bëra me dije në formë zyrtare, apo tjetër, në mungësë të plotë transparence, komunikimi dhe bashkërendimi me Bashkinë Shkodër, ka shembur struktura në plazhin e Velipojës, duke pasuar me një gjendje të jashtëzakonshme të dëmtimit të hapësirës publike dhe bregut të plazhit në këtë periudhë të fillim sezonit turistik. Ekzistojnë grumbuj të mëdhenj të interteve e materialeve përgjatë të gjithë vijës bregdetare, për pasojë kanë shkaktuar një dëm të konsideruaeshëm në infrastrukturën publike në plazh, në imazhin e qytetit dhe të sektorit të turizmit të Shkodrës.
Gjatë veprimeve të kundraligjshme janë shkelur një sërë detyrimesh ligjore, duke përbërë kësisoj kundravajtje administrative dhe dëmtime të mjedisit urban, hapësirës publike, territorit të Bashkisë Shkodër dhe të ekonomisë lokale:
Janë shkelur ligjet dhe aktet normative si më poshtë:
– Ligji nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore“ i ndryshuar,
– Ligji nr.44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar,
– Ligji nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” të ndryshuar,
– Ligji nr .10 279, datë 20.5.2010 ‘Për kundërvajtjet administrative’,
– Ligji nr.9780, datë 16.7.2007 ‘Për inspektimin e ndërtimit’ të ndryshuar,
– Ligji nr.10 463, datë 22.9. 2011 “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” i ndryshuar, Ligji nr. 10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”,
– Ligji nr.9010, datë 13.02.2003 “Për Administrimin Mjedisor të Mbetjeve të Ngurta”,
– Ligji nr.8094, datë 23.03.1996 “Për largimin publik të mbeturinave”
– Ligji nr.9774, datë 12.07.2007 “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis” të ndryshuar
– VKM nr. 123, datë 12.02.2011 “Për miratimin e planit kombëtar për menaxhimin e zhurmave në mjedis”
– VKB nr.1, dt 22.01.2016 “Për miratimin e taksave dhe tarifave vendore në Bashkinë Shkodër” të ndryshuar
– VKB Nr.83, date 26.12.2017 “Për miratimin e Planit Lokal të menaxhimit të mbetjeve të ngurta urbane 2017-2020”
– VKB nr.22,datë 18.04.2019 “Për miratimin e planit lokal të veprimit për zhurmat në mjedis”
Për sa më sipër kërkoj zbatimin korrekt të masave administrative dhe penaliteteve zhdëmtuese, në bazë të ligjit dhe akteve nëligjore në fuqi.
Njëkohësisht, në çdo rast dëmtimi të aseteve dhe hapësirës publike, krahas masës administrative, subjektet kundravajtëse janë të detyruara të kthejnë ambjentin në gjendjen e mëparshme, ose të zhdëmtojnë vlerën e dëmit të shkaktuar sipas vlerësimit nga Bashkia e Shkodrës.