Katër bankat kryesore të nivelit të dytë nuk i janë përgjigjur thirrjes së Ramës për kreditimin e biznesve të dëmtuara nga COVID-19. Po analizojnë me detaje ecurinë e bizneseve që kërkojnë të kreditohen si dhe mundësinë për ta kthyer kredinë, pasi mbajnë 40% të riskut. Me gjithë garancinë e qeverisë, bankat kërkojnë kolateral nga biznesi

Garancia sovrane e promovuar aq shumë nga kryeministri Edi Rama, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj dhe ministri për Rindërtimin dhe përballimin e koronavirusit Arben Ahmetaj, është në prag të dështimit.

Ngurrimi i bankave kryesore të nivelit të dytë në vend për të firmosur marrëveshjen me qeverinë shqiptare ka “minuar” ndjeshëm shpresat e biznesit për të marrë ndihmën e premtuar për të shpëtuar investimet e tyre. Shkaku kryesor i “ngrirjes” së këtyre marrëveshjeve, me gjithë garancitë e qeverisë dhe të Bankës së Shqipërisë, ka qënë frika nga risku.

Për këtë arsye, garancia e dytë sovrane prej 150 milionë dollarësh e premtuar për përdorim nga bizneset e dëmtuara prej COVID-19, ende s’është firmosur nga të gjitha bankat e nivelit të dytë.

Ministria e Financave bën me dije se deri më tani janë vetëm 8 banka nga 12 gjithsej ato që e kanë nënshkruar marrëveshjen e garancisë, për t’i hapur rrugën këtij procesi. Bëhet fjalë për 4 nga bankat kryesore të nivelit të dytë në vend, të cilat vijojnë të heshtin duke mos iu përgjigjur ftesës së qeverisë për ta firmosur.

Ministria e Financave ka në tavolinë vetëm 8 marrëveshje, dhe sqaron se ngurrimi vjen për shkak se bëhet fjalë jo vetëm për shumën që do të tërhiqet në formë kredie, por edhe për analizën financiare. Pra risku është i ndarë. Për këtë kërkohet një analizë e thelluar, se ku do shkohet me ecurinë ekonomike të biznesit që kërkon të përfitojë nga garancia e dytë financiare.

Bankat tregtare po shqyrtojnë në detaje këtë proces, pasi në garancinë e dytë ato marrin përsipër 40 përqind të riskut. Njëherësh do të kërkojnë dhe kolateral nga biznesi. Ndërsa pjesa tjetër, prej 60 përqind e kredisë mbulohet nga shteti. Bankat po analizojnë me detaje ku do të arrihet me ecurinë ekonomike të biznesit pas marrjes së kredisë, dhe nëse do të kenë mundësi ta kthejnë atë. Ky është problemi kryesor që po bllokon procesin.

Ministria e Financave shprehet se është duke punuar me bankat që politikat e tyre të riskut të jenë sa më të shëndetshme, por mbi të gjitha të kenë mundësinë që paratë që do të hidhen dhe ai likuiditet i shtuar në tregun e sektorit financiar, të përdoret me efikasitet të plotë. Në mënyrë që të rritet dhe të dinamizohet ekonomia jo vetëm në këtë situatë emergjencë por për të gjithë muajt në vijim.

Sa i takon faktit që bankat po ndjekin politika të shtrënguara për kreditimin e ekonomisë, por dhe për lëvrimin e fondeve të garancisë sovrane, Ministria e Financave bën me dije se ajo nuk mund të ndërhyjë në politikat e tyre.

“Është një garanci sovrane që mundëson qetësimin e bankave pasi ka një garanci shteti, në kushtet e mungesës së kolateralit të biznesit. Por mbi të gjitha ka angazhimin e qeverisë që të krijojë një mundësi për bankat, ku në kushte të tjera nuk do të ishin aktive. Politikat e bankës janë të aprovuara nga Banka Qëndrore, dhe nuk mund ta them unë nëse konservatorizmi ose jo, asfikson ekonominë”, ka thënë ministrja e Financave Anila Denaj.

Me garancinë sovrane bizneset do të kenë mundësi që të marrin deri në 300 milionë lekë, për investime e likuiditet. Ndërsa për 6 muaj s’do paguajnë principal, por vetëm interesin e kredisë.

Mbetet për t’u parë nëse bankat e nivelit të dytë do të binden nga të gjitha këto garanci të shtetit për të kredituar bizneset e për të marrë përsipër riskun e paralajmëruar. Për mometin situata është e bllokuar dhe bankat janë në kushtet e analizimit të rriskut!/Pamfleti