Asambleja Universitare e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” kërkon që qeveria të rishikojë procedurat e pranimit të studentëve të rinj në universitete. Në një analizë të situatës, Asambleja parashtron argumente që vënë në dukje cenimin e autonomisë së universiteteve publike dhe fiktivitetin e notës mesatare të vendosur nga qeveria.

Qëndrimi i Asamblesë së Universitetit të Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”

Shkodër, më 03.06.2020

KOHA PËR T’IU KTHYER UNIVERSITETEVE TË DREJTËN PËR PRANIMET E STUDENTËVE TË RINJ, SI PJESË E AUTONOMISË UNIVERSITARE

Pas eksperimentit katër vjeçar që zbatoi Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve duke vendosur notën mesatare si kriterin kryesor në pranimet e studentëve të rinj në universitete ka ardhur koha që të bëhet një studim mbi suksesin apo dështimin e këtij kriteri. Të gjitha të dhënat tregojnë se vendosja e këtij kriteri ka qenë arbitrar dhe i pakonsultuar me universitetet dhe si rezultat në vend të cilësisë së pretenduar ka sjellë: mohim të së drejtës për arsimim të qindra të rinjve shqiptarë, largim masiv të tyre drejt universiteteve të rajonit Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi por edhe universiteteve evropiane apo amerikane. Pra suksesi i kësaj reforme rezulton të jetë vënia në rrezik e ekzistencës së degëve të klasifikuara si “Mësuesi” por edhe i degëve të tjera.

Nëse kjo reformë çon drejt vënies në rrezik të programeve të studimit identitare dhe kombëtare të universiteteve publike, kjo do të jetë reforma më antikombëtare në arsimin e lartë, që nga hapja e universitetit të parë shqiptar. Ndaj ka ardhur koha që qeveria t’ua rikthejë të drejtën e përvetësuar universiteteve publike dhe private. Kjo e drejtë është një nga elementet bazë të autonomisë universitare e njohur edhe nga ligji i IAL-ve, për më tepër e zbatuar në të gjitha universitetet evropiane.

Nisur nga dështimi i këtij kriteri dhe gjendja e krijuar në universitetet publike, Asambleja e Përgjithshme e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në mbledhjen e saj më 04.03.2020 me votim unanim të të gjithë anëtarëve të pranishëm (mbështetur në vendimet me shkrim të Asambleve të Fakulteteve të Shkencave Shoqërore dt. 17.02.2020, të Shkencave të Edukimit dt. 17.02. 2020 dhe të Gjuhëve të Huaja dt.14.02.2020) i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit përmes një letre zyrtare me dt. 5. 03. 2020, që: “Kriteret dhe nota mesatare për pranimet e reja, në të gjitha ciklet dhe në të gjitha degët të konsiderohen si pjesë e autonomisë universitare”. Asambleja e Universitetit të Shkodrës përmes letrave zyrtare dhe deklaratave publike për mediat i kërkon qeverisë dialog për çështjen e mësipërme, dialog deri më tani i refuzuar në mënyrë të pakuptimtë. Është koha që Konferenca e Rektorëve dhe IAL-të të kërkojnë me vendosmëri rikthimin e të drejtës së mësipërme.

Pas eksperimentit katër vjeçar që zbatoi Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve duke vendosur notën mesatare si kriterin kryesor në pranimet e studentëve të rinj në universitete ka ardhur koha që të bëhet një studim mbi suksesin apo dështimin e këtij kriteri. Të gjitha të dhënat tregojnë se vendosja e këtij kriteri ka qenë arbitrar dhe i pakonsultuar me universitetet dhe si rezultat në vend të cilësisë së pretenduar ka sjellë: mohim të së drejtës për arsimim të qindra të rinjve shqiptarë, largim masiv të tyre drejt universiteteve të rajonit Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, por edhe universiteteve evropiane apo amerikane. Pra suksesi i kësaj reforme rezulton të jetë rrezikimi i ekzistencës së degëve të klasifikuara po arbitrarisht si “Mësuesi” por edhe i degëve të tjera. Sigurisht Ministria e Arsimit, si në rastin e vendosjes së kriterit të notës mesatare ashtu edhe tani pas disa vitesh nuk ka bërë publik ndonjë studim që dëshmon, fillimisht dobinë e vendosjes së këtij kriteri dhe tani suksesin apo dështimin e tij. Vendosja e këtij kriteri është bërë vetëm duke u nisur nga një paragjykim i procesit të konkurseve të pranimit në universitetet publike, si proces që nxiste korrupsionin. Në vend që qeveria të forconte cilësinë e këtij procesi i njohu vetes të drejtën për të vendosur notën mesatare si kriterin bazë të pranimit të studentëve të rinj në universitete, në të gjitha degët, madje edhe në degën e mjekësisë apo degë të tjera që përthithin studentë me rezultate të larta. Dhe këtë kriter ajo e ka vendosur kohë e pa kohë, pa u konsultuar dhe pa marrë parasysh interesat dhe dëmet që u shkaktohen universiteteve dhe të interesuarve për të ndjekur studimet e larta në vendin tonë. Bie fjala, përveçse është arbitrar, qeveria e ka zbatuar këtë kriter me efekt prapaveprues, çka nuk është normale. Nota mesatare deklarohet në qershor për ata që kanë nisur studimet në shkollën e mesme para tre vitesh. Normalisht vendimet dhe ligjet nuk mund të kenë efekt prapaveprues. Në këtë rast nota mesatare e nxjerrë në qershor duhet të ketë vlerë për ata që vitin e ardhshëm hyjnë në klasën e dhjetë dhe jo për ata që po përfundojnë klasën e dymbëdhjetë. Jo vetëm kaq, por nota mesatare gjatë këtyre viteve ka ndryshuar vit pas viti, por edhe vetë brenda IAL-ve ajo ndryshon sipas degëve të studimit. Për të njëjtën të drejtë, në arsimin e lartë, zbatohen kritere të ndryshme.

Edhe vetë ligji 80/2015 i IAL-ve neni 25 pika 8, shprehet: “Departamenti propozon kriteret e pranimit të studentëve për secilin program studimi, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore”

Pjesa e parë e këtij neni i jep departamentit kompetencën dhe autonominë e kritereve, ndërsa neni 74 pika 1 kundërshton nenin 25 duke ia lënë Kryeministrisë kompetencën e kritereve, çka do të thotë se ka kontradiktë brenda vetë ligjit dhe kjo pastaj interpretohet sipas vullnetit të atij që është më lart në piramidë. Kur kriterin kryesor e vendos qeveria atëherë çfarë autonomie u mbetet universiteteve?! Gjithashtu ne mendojmë se një ligj apo një nen i caktuar i ligjit nëse në një shoqëri demokratike prodhon rezultate negative, si ato që kemi përmendur, ai duhet ndryshuar me një më të mirë. Vetëm në vendet diktatoriale ligjet e këqija nuk vihen në dyshim dhe duhen zbatuar pavarësisht nga pasojat që sjellin.

“Nota mesatare” si kriter për pranimin në universitete është joreale dhe përjashtuese

Vendosja e notës mesatare është përjashtuese dhe ka lënë jashtë të drejtës për arsimin e lartë një numër shumë të madh nxënësish, të cilët u janë drejtuar shteteve të tjera fqinje, apo evropiane. Këta studentë (të përjashtuar tek ne) atje ku studiojnë dalin me rezultate të mira dhe shumë të mira. Të mos harrojmë, se shumë shpejt këtyre studentëve u bashkangjiten edhe vëllezërit e motrat e tyre, bashkë me familjarët, duke e përkeqësuar edhe më tej plagën e madhe të braktisjes së vendit, e cila po çon në shpopullimin e Shqipërisë Veriore, por edhe të krejt atdheut. Vendosja e kriterit të notës mesatare nuk zbatohet në Evropë (studentët testohen nga universitetet me konkurse publike), dhe as në vendet e Rajonit. Të njëjtët studentë shkojnë në Kosovë, marrin një diplomë për mësuesi, kthehen në Shqipëri dhe punësohen si mësues nëpërmjet ekuivalentimit të diplomës. Nëse mbarojnë me nota të larta, mund të punësohen edhe lektorë në universitete, edhe pse tek ne nga kriteri i notës mesatare ata janë përjashtuar.

Justifikimi se duam “arsimtarë cilësorë” që ndikoi për rritjen e mesatares për pranimet në degët “Mësuesi”, nuk përbën ndonjë argument sepse profesionistë cilësorë duam për të gjitha fushat e dijes dhe shkencës. Rasti më i qartë i ndryshimit të barazisë për të drejtën e arsimit të lartë, është rasti i vjetshëm kur qeveria, pasi ishte deklaruar nota mesatare dhe procesi i regjistrimeve ishte në fazën e fundit, ndërhyri dhe ndryshoi notën mesatare për disa degë të tjera. Shumë mirë bëri, sepse do t’u mohohej e drejta e studimeve të larta dhjetëra të rinjve, por në fakt kjo tregon mungesën e seriozitetit dhe përdorimin e këtij kriteri në mënyrë klienteliste, sipas interesit dhe dëshirës së qeverisë. Në rastin më të keq, por më të drejtë nota mesatare për pranimet në universitete mund të ishte ose e njëjtë për të gjitha degët ose për të shmangur diskriminimet dhe cënimin e autonomisë universitare. E drejta për të vendosur kritere në pranimet e reja t’u rikthehet universiteteve, të cilët janë qendra të dijes, kulturës dhe kapaciteteve më të mira shkencore dhe profesionale që ka vendi dhe si të tilla ato janë në gjendje ta organizojnë këtë proces në mënyrë të pavarur dhe dinjitoze.

Nëse Ministria kërkon të bëjë modifikime në stafin e mësuesisë së shkollave të mesme apo nëntëvjeçare, kjo është rruga e gabuar për ta arritur. Ky veprim po prodhon efekte negative, sepse prindërit për të përmirësuar mesataren e shkollës së mesme të fëmijëve të tyre, po i heqin nga shkollat e mesme publike dhe po i dërgojnë në ato private. Maturantët shpesh fitojnë nota fiktive për të kapur patjetër mesataren, por nuk arrijnë të marrin provimet e viteve të para në universitet. Gjithashtu, siç e dimë të gjithë, ndryshe është cilësia e nxënësve në shkollat e qyteteve kryesore dhe ndryshe ajo në shkollat e fshatrave apo të periferive. Pra mesatarja, nga kriter cilësie përkthehet në kriter abuzimi, sepse rezulton se nxënësit që e kanë siguruar lehtësisht notën mesatare në shkolla private, apo në shkollat publike të periferive, të jenë në fakt fitues fiktivë të së drejtës për të hyrë në universitete. Ndërkohë nxënësit që në shkollën e mesme kanë prirje dhe aftësi të dëshmuara për një grup lëndësh, por nuk kanë të njëjtat prirje dhe aftësi për një grup tjetër, humbasin të drejtën e studimit në atë profil ku vërtetë mund t’i zhvillojnë këto prirje dhe aftësi, sepse nota mesatare nuk i lejon, siç po ndodh sidomos në degët “Mësuesi”, në të cilat mesatarja ka ardhur duke u rritur vit pas viti. Studentë me mesatare të lartë nuk fitojnë në degë të tilla si “Mjekësi” në Universitetin e Tiranës, por fitojnë konkurset e pranimit në këtë degë, në universitetet evropiane. Gjithashtu studentë që nuk fitojnë të drejtën e studimit në Universitetin e Shkodrës në “Gjuhë shqipe dhe letërsi”, “Bio-Kimi”, në “Histori”, “Gjeografi”, “Italianistikë”, “Gjermanistikë” etj., mund t’i ndjekin lirisht studimet në universitetet evropiane. Paradoks i madh, i prodhuar nga nota mesatare e vendosur nga qeveria shqiptare!

Kritere arbitrare, klasifikime arbirtrare

Disa programe studimi, arbitrarisht dhe kundër vetë ligjit të Arsimit të Lartë, u klasifikuan nga Ministria e Arsimit si degë “Mësuesi” që në nivelin e parë të studimeve “Bachelor” kur në realitet studimi në këto degë të siguron një diplomë të formimit të përgjithshëm, por jo diplomë “Mësuesie” sepse me këtë diplomë nuk mund të punësohesh mësues dhe gjithashtu nuk je i detyruar që nivelin e dytë të studimeve “Master” ta ndjekësh patjetër për mësues, por mund ta ndjekësh edhe në ndonjë profil tjetër të fushës. Ndërkaq me diplomën “Bachelor” mund të punësohesh në administratën publike apo private që lidhet me fushën përkatëse, por në asnjë rast mësues. Edhe në këtë rast nuk ka ndonjë studim të bërë publik, pse është e nevojshme të ketë në disa degë një mesatare dhe në disa të tjera një tjetër, më të lartë. Shto këtu, se disa degë të klasifikuara “Mësuesi” në nivelin “Bachelor” kanë edhe “Master Shkencor” që formon specialistë në disiplina e fusha të tjera.

Qeveria dhe tregu i punës kanë mundësinë të përzgjedhin për punësim sipas cilësisë së të diplomuarve

Kërkesa për cilësi është pjesë e universitetit dhe ai e realizon këtë detyrë në mënyrë të kënaqshme. Në përfundim të studimeve dalin studentë shumë cilësorë, mesatarë dhe të dobët, në të gjitha degët. Këtu misioni i universitetit është i kryer. Tregu apo qeveria ka mundësinë që të përzgjedhë atëherë nga këto kategori për të punësuar, sipas kriterit të aftësisë dhe cilësisë, atë me mesatare më të lartë dhe me kualifikime të tjera, siç është edhe provimi i liçencës së profesionit.

Pra, këtu bie edhe “miti i cilësisë” së kuadrove të ardhshëm, sepse qeveria (apo punëdhënësit privatë) përmes ligjeve dhe rregulloreve që përcaktojnë kriteret për punësimin, gjithmonë kanë mundësinë që të përzgjedhin ndërmjet atyre që përfundojnë studimet universitare, kandidatët më cilësorë, që kanë përfunduar me rezultate të larta studimet, që kanë kualifikime dhe aftësi të tjera shtesë etj., pavarësisht se sa e kanë pasur mesataren në arsimin parauniversitar. Kjo gjë është plotësisht e mundur. Pra, çështja e cilësisë është e garantuar edhe kështu dhe nuk është aspak e garantuar nëse nxënësi hyn në universitet me notën tetë dhe del si student me notën mesatare gjashtë. Në përfundim të procesit cilësia varet nga MASR-ja sepse ajo ka edhe të drejtën e provimit për liçensën e profesionit, si filtër përfundimtar për tregun e punës.

Cikle studimi të stërzgjatura dhe me kosto të lartë

Cikli i studimeve për degët e klasifikuara si “Mësuesi” është dekurajues për maturantët me notë mesatare të lartë, të cilët preferojnë të zgjedhin degë të tjera me cikël më të shkurtër, ose me perspektivë për një profesion, i cili do t’u sigurojë të ardhura më të larta. Kandidati për mësues në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” por edhe në universitetet e tjera duhet të kryejë 3 vite “Bachelor” +2 vite “Master Profesional”+ provimin e gjuhës së huaj të çertifikuar nga kompani private + 1 vit praktikë + provimin shtetëror për liçensën e profesionit. Kjo kohë e gjatë shoqërohet me një faturë të kripur financiare, me radhën e gjatë nëpër portale, duke pritur punësimin dhe nëse ia del të mbijetojë gjatë kësaj periudhe, arsimtari i ri është i demotivuar, kur ballafaqohet me pagën prej afro 350 euro. Ka edhe një paradoks tjetër që duhet rregulluar: Nëse studenti fiton vetëm diplomën “Master Shkencor” ai nuk arrin të punësohet mësues, duhet të kryejë edhe “Master Profesional”. Në këtë rast diploma “Master shkencor” përmes dhënies provim të vetëm disa lëndëve të karakterit profesional, duhet të ekuivalentohej me diplomën “Master Profesional” në rast se mbajtësi i saj dëshiron të konkurojë për tu punësuar si arsimtar, por aktualisht kjo nuk është e mundur. Një maturant me mesatare të lartë sigurisht do të kërkojë të studiojë në një degë më frytdhënëse dhe më të shpërblyer sesa ajo që e bën arsimtar. Madje me këtë nivel ai e ka të sigurtë se do të fitojë një të drejtë studimi në cilindo universitet evropian, por edhe të fitojë një mbështetje me bursë ekonomike apo përfitime të tjera që tek ne nuk ekzistojnë. Kandidati i projektuar me notë mesatare të lartë për të vijuar studimet në programet e studimit “Mësuesi” sapo të shohë llogarinë e mësipërme është automatikisht i demotivuar për të hyrë në këtë program studimi. Është koha të hiqet dorë edhe nga miti i periudhës socialiste që e shihte mësuesin si i gjithëdijshmi i botës. Pa dashur ta nënçmojmë aspak, mësuesi nuk është shkencëtar, siç pretendojmë ta bëjmë me gjithë këtë periudhë të mbingarkuar me studime, provime, kualifikime, gjuhë të huaja në program e gjuhë të huaja të çertifikuara nga kompani private etj. Mësuesi i mirë është një zbatues i mirë i njohurive të fituara nga studimet universitare, zbatues i mirë i programit të lëndëve të profilit përkatës, i njohurive të paraqitura në tekstin përkatës të lëndës dhe në Librin e mësuesit. Mësues të mirë ka diplomuar Universiteti i Shkodrës edhe kur ka qenë Institut Pedagogjik dy vjeçar apo tre apo katër vjeçar. Pra, duhet parë mundësia e shkurtimit të kohës së përgatitjes së mësuesve dhe e kostos së këtyre studimeve. Një propozim është shkurtimi i kësaj kohe nga 3+2 në 3+1 duke përfshirë brenda strukturës së programit mësimor edhe periudhën një vjeçare të stazhit. Pra, shkurtim i kohës me dy vite, një vit akademik dhe një vit stazh në terren. Duke hequr ndërkaq edhe detyrimin për dhënien e provimit me pagesë për gjuhën e huaj tek kompanitë private, për shkak se gjuha e huaj mund të jetë pjesë e programit studimor në nivelin “Bachelor” por edhe “Master profesional”.

Nota mesatare shkak dhe pasojë për vijimin e “rrjedhjes së trurit”

Vendosja e pragut të notës mesatare në kushtet që kemi përmendur më sipër, është duke vënë në rrezik edhe ciklin e dytë të studimeve “Master Profesional” veçanërisht në degët e klasifikuara si “Mësuesi”. Për shkak të rënies drastike të regjistrimeve në nivelin “Bachelor” do të ketë pak ose aspak kandidatë për t’u regjistruar në këtë nivel studimi. Ndërkaq këto ditë nga shtypi mësojmë se edhe për pranimet në “Master Profesional” Ministria parashikon të vendosë kritere të reja, përsëri pa u konsultuar me universitetet. Pra, shqetësimi i të gjithë pedagogëve të universitetit tonë, por edhe të universiteteve të tjera publike, është fati i programeve të tyre të studimit, që sigurisht është edhe shqetësim i ligjshëm për vënien në rrezik edhe të vendit të punës, për të cilin kanë investuar dhe sakrifikuar gjithë jetën, aftësitë e tyre, duke besuar se ia vlen t’i shërbejnë më mirë vendit të tyre se sa një vendi tjetër. Ne mendojmë se Shqipëria nuk e ka luksin që të vijojë të eksportojë studentë, infermierë, mjekë dhe tani, me vënien në rrezik të shumë degëve të studimit, edhe pedagogë me kapacitete të larta shkencore dhe profesionale të cilët do të jenë të detyruar, që pas shumë vitesh punë e kontribute të shohin mundësinë e largimit nga vendi, për të mbijetuar. Të mos harrojmë se në disa universitete evropiane dhe amerikane, ka programe studimi dhe departamente që mbajnë të hapura me fondet e qeverive të tyre, edhe me pak studentë, programe studimi që lidhen me historinë, kulturën, gjuhën dhe letërsinë shqiptare.

Në universitetin tonë veçanërisht në degët e klasifikuara si “Mësuesi” numri i regjistrimeve ka rënë në minimumin e vet historik, që nga hapja e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës (1957). I njëjti fenomen po ndodh në të gjitha universitetet publike në Shqipëri. Rënia e numrit të regjistrimeve është e ndjeshme edhe në degët e tjera krahasuar me katër vite më parë. Ne e shohim çështjen e notës mesatare si shkakun kryesor të kësaj rënieje dhe prandaj kërkojmë ose rikthimin e të drejtës së pranimeve të të gjitha degëve dhe cikleve të studimit tek universiteti ose gjetjen nga ana e qeverisë, në bashkëpunim me universitetet, të një zgjidhjeje më të dobishme se sa ekzistuesja, për përmirësimin e kësaj gjendjeje. Pra, një dialog me qeverinë për këtë çështje është i kërkuar dhe i mirëpritur. Në këtë dialog duhet të jenë pjesëmarrës si palë të interesuara direkt, të gjitha universitetet publike dhe private, ndaj sjellim në vëmendjen e tyre gjetjen e mundësive për ta nxitur këtë dialog sa nuk është vonë, për të mirën e shoqërisë shqiptare dhe të ardhmen e arsimit të lartë në vendin tonë.

Përfaqësia e Asamblesë Universitare e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”