Në fund të tremujorit të parë 2020 detyrimet e prapambetura të institucioneve arritën në total rreth 53 milionë euro ku rreth 22 për qind e këtij stoku janë detyrime të krijuara në janar-mars 2020 kurse pjesa tjetër të mbartura nga viti i kaluar.
Pjesa më e madhe e detyrimeve të prapambetura i takojnë atyre që duhet të paguhen për llogari të individëve, që kanë fituar gjyqe pasi janë larguar pa të drejtë nga pozicioni i punës. Vetëm për vendime gjyqesh janë 4 miliardë detyrime.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se nga institucionet bartëse të detyrimeve pjesa më e madhe i takon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me 1.7 miliardë lekë në total apo rreth 34 për qind të gjithë stokut.
Ndarja e borxheve sipas institucioneve
Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë raporton që detyrimet e krijuara për periudhën janë në vlerën 98.7 milion lekë si 3-mujor ose 1.72 miliard lekë progresiv deri në Mars 2020, referuar detyrimeve të aparatit të MIE, ARRSH-së dhe AKUK-së.
Ministria e Mbrojtjes raporton 1.28 miliard lekë detyrime të akumuluara, ku pjesa më e madhe i përket programit të Emergjencave Civile. Për tremujorin Janar-Mars 2020, ky institucion ka krijuar 401.5 milion lekë detyrime të reja.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë – raporton që detyrimet e krijuara për periudhën Janar-Mars 2020 janë në vlerën 30.8 milion lekë. Në total MASR ka 329.6 milion lekë detyrime të akumuluara.
Ministria e Drejtësisë – Nuk ka detyrime të prapambetura për periudhën Janar-Mars 2020.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – Ka një stok detyrimesh të prapambetura prej 659.9 milion lekë, progresiv deri në Mars 2020.
Ministria e Brendshme – Stoku i detyrimeve deri në Mars 2020 është në vlerën 1.15 miliard lekë. Detyrimet e reja të krijuara në periudhën Janar-Mars 2020 janë në vlerën 50.6 milion lekë, ndërkohë që stoku i mbartur është 1.098 milion lekë.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – Nuk ka detyrime të prapambetura të trashëguara apo të krijuara për periudhën Janar-Mars 2020.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme – nuk ka detyrime të prapambetura të krijuara rishtazi
Ministria e Financave dhe Ekonomisë – për tremujorin Janar-Mars 2020 ka krijuar 64.8 milion lekë detyrime të reja të prapambetura. Në total stoku i detyrimeve të akumuluar deri në Mars 2020 është 464.6 milion lekë për vendime gjyqësore për ish punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Ministria e Kulturës – raporton që nuk ka detyrime të krijuara për periudhën Janar-Mars 2020, ndërsa stoku i detyrimeve deri në Mars 2020 është 1.7 milion lekë.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit – Stoku i detyrimeve deri në Mars 2020 raportohet në vlerën 196.5 milion lekë.
Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve – Në total deri në Mars 2020, DPT ka akumuluar 728.4 milion lekë detyrime të prapambetura për vendime gjyqësore lidhur me rimbursimin e TVSH. Gjatë 3-mujorit Janar-Mars 2020 DPT ka krijuar 648.3 milion lekë detyrime të reja.
Marrë nga Monitor