Nga Ardi Hoti
Numri një i Policisë së Shtetit Ardi Veliu gjatë kohës që bënte një raportim shumë të mirë për rendin dhe sigurinë publike bëri po shumë mirë një gabim sa etik aq dhe profesional që mund të ketë dhe kosto në karrierën e tij.
Çfarë bëri?! Duke dashur të mbrojë indirekt policin që ushtroi dhûnë ndaj një 15 vjecari, publikoi videon ku tregohej nëna e fëmijës që i drejton pistoletën një personi tjetër. Kjo për të thënë, “ shiko se kemi të bëjmë me një familje jo korrekte dhe deri në një fare pike polici e ka një të drejtë”
Por etika filozofike na ushqen me idenë se nuk ka një të vërtetë pa disa të verteta rreth e rrotull dhe kështu ndodhi.
Nëna e fëmijës sqaron në media se ajo kishte qënë si aktore në një film dhe gjatë provave të filmit kishte bërë dhe veprime në formë loje duke i drejtuar pistoletën koleges. Nëna e fëmijës sqaron se atë video e kishte hedhur vetë në profilin e saj në instagram. Kemi një rast kur ndërhyet në profilin tënd duke të marrë një video personale. Kemi një rast kur kjo diçkaja jote personale mirë se bëhet publike por interpretohet si një veprim banal, pa moral. Po edhe sikur të jetë e vërtetë me çfarë të drejte mund të justifikohet dëmi që i bëni dikujt me sjelljen e dikujt tjetër. Me çfarë të drejte demtohet imazhi i një gruaje. Fundja jeta private mbetet e tillë.
Nuk gjykohet jeta e tjetrit për më tepër kur në librin e jetës të secilit gjindet një faqe që kemi dëshirë ta grisim.
Me çfarë të drejte dhûnohet për të dytën herë një fëmijë. Hera e parë dhûnë fizike dhe hera e dytë dhûnë psikologjike. Si do ta përballojë ky fëmijë dëmtimin e imazhit të nënës së tij të shokët, te shoqëria, te opinioni publik. Ka raste kur policia duhet të përdorë dhe forcën dhe shumë mirë bën por gjerat duhet të peshohen përpara se të shiten. Ka raste plot kur familje me nivel të ulët frymëzojnë fëmijet për të bërë krime nga më të ndryshmet dhe është e vërtetë se në kurriz të policisë janë gjitha këto. Por ky nuk më duket se ishte rasti . Nuk njoh as fëmijen , as nënën , as policin por shqetësimi i këtyre pak rreshtave rënkon për fenomenin që rrezikon të krijojë një rreshqitje trualli në çështje etike me tjetrin.
Të tregosh ekstremet e një subjektiviteti për tu treguar objektiv nuk bën asgjë tjetër vetëm se justifikon një gabim të vogël me një tjetër gabim më të madh.