Ministrja e Shëndetësis, Ogerta Manastirliu ka njoftuar se nga data 1 qershor do të hiqen të gjitha kufizimet e lëvizjes për qytetarët që janë vendosur për shkak të pandemisë.

Ajo tha se automjetet do të jenë të lira të lëvizin ndërmjet qyteteve pa asnjë kufizim përtej kësaj date dhe do të hapen gjithashtu kufijtë tokësorë.

“Nisur nga vlerësimi epidemiologjik deri tani, në konsultim me Komitetin Teknik është vendosur që të ndjekim planin e miratuar në strategjinë e rihapjes dhe nga data 1 Qershor:

Të lejohet levizja e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin, në të gjitha qytetet dhe qarqet e vendit. Të rihapen çerdhet dhe kopshtet publike dhe private duke zbatuar protokollet e sigurisë të miratuara. Të hapen kufinjtë tokësorë, duke pezulluar karantinimin dy javor, si një masë e cila është ndjekur nga vendet europiane. Masa e vendosjes së karantinës dy/javore do të mbetet si masë në raste të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore sipas kritereve të përcakuara nga ECDC – Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve.

Do të vijojë të jetë i mbyllur transporti publik, për të cilin po punohet me Mininistrinë e Infrastrukturës dhe Transporteve për një Plan i cili do të bëhet publik në një kohë të shpejtë.

Në fund të këtij komunikimi, ju informoj se duke filluar nga nesër, gjatë fundjavës e në vijim hiqen kufizimet e orareve për qytetaret dhe bizneset në zonat e kuqe dhe të gjëlbërta. Edhe këtë fundjavë, në kuadër të monitorimit të situatës dy javore, nuk do të lejohet levizja nga zonat e kuqe për rezidentët e këtyre zonave. Për të gjithë vendin plazhet do të hapen sipas rregullave të mësiperme tha Manastirliu.