Ministrja e Shëndetësisë njoftoi sot se duke nisur nga 1 Qershori do të hapen parqet, palestrat, plazhet dhe qendrat e internetit, ndërkohë që do të mbajen të mbyllura ende të gjitha llojet e organizimeve që kërkojnë një përqendrim më të madh njerëzish.
Faza e dytë kërkon protokolle strikte dhe në asnjë moment nuk duhet të ulet vigjilenca. Ne do të lejojmë që nga 1 Qershori të lëvizin mjetet pa pasur nevojë për autorizime, nga 1 Qershori do të jenë të hapura dhe plazhet, të gjithë të interesuarit duhet të zbatojnë protokollet dhe të aplikojnë në e-albania për të marrë leje për të administruar plazhet, do të hapen kufijtë, pa pasur nevojë për karantinë dyjavore.
Nga data 1 Qershor do të hapen kampionatet e sportit, do të hapen parqet, qendrat dhe palestrat, plani për transportin do të jetë gati shumë shpejt. Do të jetë të ndaluara deri në një vlerësim të dytë deri në 23 Qershor, që është dhe afati i fundit aktivitetet kulturore, dëgjesat publike, dasmat, klubet e natës, tubimet, dhe çdolloj grumbullimi tjetër. Rekomandojmë që lëvizjet jo të nevojshme duhet të shmangen, kjo do të jetë fundjava e fundit që nuk do të lejohet dalja jashtë kufijve të zonës së kuqe, ndërsa të hënën nuk do të ketë më ndarje të tilla, dhe fundjavat do të jenë tërësissht të hapura për bizneset, tha Manastirliu.
Deklarata e plotë Po përmbyllim javën e 12 nga fillimi i epidemisë së Covid19 në vendin tonë. Pas disa javësh masash kufizuese të marra në kohën e duhur, pas gjithë përpjekjes tuaj për zbatimin e tyre dhe rezistencës së secilit prej jush, ja dolem që të kemi kufizim të përhapjes së infeksionit. Edhe pse deri më sot kemi një ecuri të qëndrueshme të epidemisë, nuk duhet harruar se rihapja që ka filluar me faza para dy javësh, kërkon disiplinë dhe një sjellje individuale korrekte që i përshtatet normalitet të ri
Këto dy javë të fundit kemi vijuar punën me intensifikimin e hetimit epidemiologjik. Rastet e katër ditëve të fundit tregojnë vatra të reja të infeksionit, të cilat po ndiqen. Analiza e situatës deri më sot na lejon hapjen, por kjo situatë do kërkojë gjithnjë e më shumë:
Nëse zbatojmë masat, protokollet e sigurisë gjatë punës, në aktivitetin tonë të përditshëm, do të mundemi të ecim përpara me planin e rihapjes. Nëse analiza epidemiologjike dhe kriteret do të na thonë se do duhet të tërhiqemi, do duhet të ngremë frenat e emergjencës.
Nisur nga vlerësimi epidemiologjik deri tani, në konsultim me Komitetin Teknik është vendosur që të ndjekim planin e miratuar në strategjinë e rihapjes dhe nga data 1 Qershor: Të lejohet levizja e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin, në të gjitha qytetet dhe qarqet e vendit
Të rihapen çerdhet dhe kopshtet publike dhe private duke zbatuar protokollet e sigurisë të miratuara. Të hapen kufinjtë tokësorë, duke pezulluar karantinimin dy javor, si një masë e cila është ndjekur nga vendet europiane. Masa e vendosjes së karantinës dy/javore do të mbetet si masë në raste të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore sipas kritereve të përcakuara nga ECDC Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve.
Nga data 1 Qershor plazhet do të jenë të hapura, nën masa të sigurisë, sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt. Plazhet sipas zonave të miratuara do jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një Autoritet i Përkohshëm që është ngritur për këtë periudhë dhe do të administrojë lejet për vendosje të pajisjeve të plazhit nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçante për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjeno-sanitare në plazhe. Ndaj ftojmë të interesuarit të zbatojnë procedurat e publikuara, duke informuar së çdo kush që shkel rregullat në plazh do të penalizohet.
Do të lejohen nga data 1 Qershor kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit sipas protokolleve të sigurisë, si dhe palestrat sipas protokolleve të miratuara. Do të vijojë të jetë i mbyllur transporti publik, për të cilin po punohet me Mininistrinë e Infrastrukturës dhe Transporteve për një Plan i cili do të bëhet publik në një kohë të shpejtë.
Po kështu do të vijojnë të jenë të ndaluara, aktivitetet kulturore, kinema, teatër, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferenca, dëgjesa publike, tubimet e çdo lloji, duke bërë dhe një thirrje për të mos patur përsëritje të grumbullimeve masive, efektet e të cilave do të ishin shumë të dëmshme.
Ndaj një thirrje për më shumë përgjegjshmëri për të gjithë aktorët, palët politike, organizatat, që të mbrojmë shëndetin e qytetarëve dhe të mos rrezikojmë duke thyer rregullat në një kohë kur virusi nuk është zhdukur dhe ku grumbullimet publike favorizojnë përhapjen e tij, në një kohë që çdo grumbullim, lëvizje dhe destinacion nëse konsiderohet jo i domosdoshëm të vlerësohet për t’u kryer në kohë apo forma të tjera të komunikimit.
Në fund të këtij komunikimi, ju informoj se duke filluar nga nesër, gjatë fundjavës e në vijim hiqen kufizimet e orareve për qytetaret dhe bizneset në zonat e kuqe dhe të gjëlbërta. Edhe këtë fundjavë, në kuadër të monitorimit të situatës dy javore, nuk do të lejohet levizja nga zonat e kuqe për rezidentët e këtyre zonave. Për të gjithë vendin plazhet do të hapen sipas rregullave të mësiperme.