Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me rastet me COVID19 në QSUT. Në një status në Facebook, ish deputeti Bardh Spahia thotë se pavarësisht propagandës, 13 rastet në QSUT tregojnë se stafi mjekësor është lënë pa mjetet e duhura mbrojtëse.

Ai shkruan se qeveria nuk ka dëgjuar thirrjet e Partisë Demokratike që në mënyrë të përsëritur ka kërkuar pajisjen me mjete mbrojtëse dhe testimin e vazhdueshëm të personelit mjekësor duke qenë se ata ishin më të ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit.

Reagimi i Bardh Spahisë

21 rastet e reja të të infektuarve me Covid-19, të publikuara sot vërtetojnë më së miri faktin se në këtë epidemi, shqiptarët u braktisën nga shteti i tyre, se pushteti punoi pa një strategji, pa një plan. Shqiptarët sakrifikuan e vazhdojnë të jenë të izoluar, ndërsa pushteti punoi dhe vazhdon të punojë me llogari të ngushta përfitimi politik e financiar.

13 rastet e reja të evidentuara në QSUT provojnë se stafi mjekësor, përtej propagandës së ERTV, është lënë në mëshirë të fatit, duke u kthyer në shtresën më të rrezikuar nga Covid dhe vektor transmetimi tek familjarët e kontaktet e tyre.

E kemi evidentuar me forcë, në mënyrë të përsëritur e që në krye të herës domosdoshmërinë e pajisjes me mjete mbrojtëse si dhe testimin e vazhdueshëm të personelit mjekësor, si mënyrë për t’i garantuar sigurinë për të përmbushur misionin e tyre, por edhe siguri për vetë pacientë, familjarë e kontakte të këtij personeli.

Njëlloj si me Call Center-at e fasonët, kjo qeveri ka vënë interesin e pushtetit para atij të qytetarëve, të cilët kanë meritën se sakrifikuan duke bërë pjesën e tyre, izolimin Opinion.al