Kreu i qeverisë kërkon tia faturojë kryebashkiakut të Tiranës shembjen e godinës së Teatrit. I ndodhur përballë presionit vendas e ndërkombëtar, Rama ia lë “kopilin” në derë Veliajt. Zërat brenda PS thonë se mund të japë dorëheqje të parevokueshme. Kandidatë në Tiranë, Manastirliu e Balluku. Zgjedhje në tetor dhe për Durrësin, Shkodrën e Vorën

Shembja e Teatrit Kombëtar më 17 maj nuk ka kaluar lehtë për kryeministrin Edi Rama. Pamjet e fadromave e të dh.unës ndaj protestuesve bënë xhiron e botës, duke krijuar një imazh të shëmtuar për qeverinë shqiptare.

Madje s’munguan as kritikat e partnerëve ndërkombëtarë, të zhgënjyer nga ky veprim i Ramës, ndërkohë që qasja ndaj dialogut për përmbylljen e Reformës Zgjedhore ishte pozitive.

Shembja e Teatrit, në këtë situatë pandemie, në pikë të mëngjesit dhe pa kompromisin e aktorëve dhe faktorëve relevantë, e minoi këtë dialog politik mes mazhorancës dhe opozitës.

Komisioni Europian, “Europa Nosta” ish presidenti i KE Donald Tusk, deputeti i CDU Johann Vadepuhl shprehën publikisht zhgënjimin e tyre për shembjen e Teatrit pa dialog. Ambasadori i BE në vendin tonë Luigi Soreca ka deklaruar se Teatri Kombëtar tashmë është çështje delikate dhe e politizuar. Ai shprehu zhgënjimin e tij për këtë vendim të Ramës, i cili ishte i pakonsultuar me faktorin ndërkombëtar.

Ndërkohë Rama është përpjekur ta kalojë me sforco këtë kundërvënie të qytetarëve, shoqërisë civile, politikës dhe ndërkombëtarëve për shembjen që i bëri Teatrit Kombëtar. Ai tha se kishte bërë biseda të mira me miq ndërkombëtarë jashtë vendit, për të përmbysur me fakte kështjellën e baltës së eksportuar nga prodhuesit e shpifjeve për godinën e shembur dhe ngjarjet rrotull saj! Ndërsa e përcjell gjithë presionin që i është bërë këto ditë, me gatishmërinë para SHBA dhe BE që të finanlizohet Reforma Zgjedhore, në përmbushje të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Për hir të së vërtetës Rama gjendet në një vështirësi të jashtëzakonshme politike për shkak të shembjes së Teatrit Kombëtar. Faktori ndërkombëtar është kundër tij. Ambasadorja e SHBA e tha qartë se pazaret në kurriz të Reformës në Drejtësi për ta “vrarë” atë pas shpine dhe për ta kushtëzuar me Reformën Zgjedhore duhet të marrin fund.

Yuri Kim nuk kishte parasysh vetëm Ilir Metën si pjesë të pazarit, por dhe Edi Ramën si ortak në pazar me Presidentin. Kjo i ka “djegur” shumë Ramës, që po kërkon një zgjidhje për të dalë nga sikleti ku është futur

Këto ditë janë vënë re përpjekje të shtuara të kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për të mbrojtur shembjen e Teatrit. Ai nuk po lë ekran pa shfrytëzuar dhe media sociale pa përdorur që të vertetojë se vendimi këshillit Bashkiak i Tiranës për shembjen e Teatrit ka qënë i drejtë. Madje ka shpjeguar në detaje se përse fadromat e bashkisë shkuan në 04.30 të mëngjesit dhe realizuan shembjen e godinës. Nga ana e tij Rama po qëndron i distancuar në këtë proces, distancim që ka filluar që në momentin e kalimit të Teatrit tek Bashkia. Ia la “kopilin” në derë Veliajt, që po përpiqet të mbrohet vetë.

Pavarësisht se të gjithë e dinë se Veliaj nuk bën asnjë veprim pa pyetur Ramën, me sa duket kryeministri i gjendur në vështirësi përballë shqiptarëve e partnerëve ndërkombëtarë po bën atë që di më mirë: “shitjen” e miqve më të ngushtë. Dhe “kurbani” i radhës për Teatrin, që të shpëtojë veten, është kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Zërat korridoreve të PS saktësojnë se Veliaj mund të japë dorëheqje të parevokueshme. Dhe në këtë situatë do ishte shumë e volitshme për Ramën për të zgjidhur njëherë e mirë dhe problemin e tij, atë në Tiranë por dhe në bashkitë e tjera pa kryetarë.

Veliaj, duke marrë përsipër koston e shembjes së Teatrit, por dhe për faktin se Rama po sheh se kuotat politike të kreut aktual të bashkisë së Tiranës kanë rënë ndjeshëm, me dorëheqjen e tij të mundshme i hap rrugën dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme dhe në Shkodër, Durrës e Vorë. Presidenti Ilir Meta nuk mund të ketë arsye për të bllokuar këtë proces dhe për të mos dekretuar datën. Ndoshta mund të jetë diku afër mesit të tetorit të këtij viti, për të kënaqur dhe egon e tij e për të realizuar zgjedhje afër kësaj datë. Janë skenare të mundshme këto.

Ndërkohë që Rama i ka gati kandidaturat për kryetar bashkie në Tiranë. Ogerta Manastirliu dhe Belinda Balluku janë kandidaturat më të mundshme. Rama ka deklaruar se punën po e bën me gratë. Aq më tepër që Manastirliun dhe Ballukun i ka pasur drejtoresha në bashki kur ai ishte kryetar i Tiranës.

Nëse Meta s’dekreton zgjedhjet e pjesshme, atëherë sipas ligjit njëri nga nënkryetarët e bashkisë së Tiranës do të drejtojë bashkinë deri në zgjedhjet e radhës. /Pamfleti