Në një kohë kur kryeministri Edi Rama e ka kyccur të dielën e Bajramit për të gjithë qytetarët, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton se falja e Namazit do të bëhet në xhamia, sipas masave që janë publikuar më parë për distancimin dhe higjenën.

Ndryshe nga vitet e tjera, ku namazi është falur në shesh, këtë vit do të shmanget kjo, si dhe pritjet tradicionale me rastin e kësaj feste në selinë e institucionit nuk do të zhvillohen

Njoftimi i plotë i KMSH: Të nderuar kolegë përshëndetje! Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se dita e parë e Fitër Bajramit është të dielën, më 24 maj 2020. Duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 në Shqipëri, KMSH bën me dije se namazi i Fitër Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhamia sipas masave dhe protokollit të publikuar më parë.

Ceremonia qendore e Fitër Bajramit, ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Bujar Spahiu, do të zhvillohet në xhaminë e “Kokonozit” (Pazari i ri) Tiranë. Njoftohen të gjithë televizionet që duan ta transmetojnë këtë ceremoni se nisur nga masat që janë marrë dhe duke patur parasysh se ambienti brenda xhamisë është i kufizuar, të gjithë televizionet mund ta marrin sinjalin nga autobusi i transmetimit të TVSH-së, i cili do të jëtë i pozicionuar në hyrje të xhamisë.

Gjithashtu ju bëjmë me dije se pritjet tradicionale me rastin e kësaj feste në selinë e institucionit nuk do të zhvillohen. Gëzuar Fitër Bajramin!