Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi pro shembjes së godinës së Teatrit Kombët
Anëtari i vetëm i djathtë në Këshill, Fabian Topollaj ka publikuar dy e-maile lidhur me këtë çështje për të cilën ai pretendon se nuk është mbajtur asnjë diskutim.
Topollaj shkruan se votimi për prishjen e godinës së Teatrit u bë me e-mail një ditë para mbledhjes së parashikuar për këtë çështje. Ai thekson se kjo çështje nuk ishte në rendin e ditës më datë 13 por u njoftua një ditë më vonë, në 14, se do të diskutohej të premten (15 maj).
Statusi i Fabian Topollajt
Vetëm rastësisht kuptova se Këshilli Bashkiak paska dakordësuar tashmë shembjen e Teatrit Kombëtar. Ndërsa po i hidhja një sy e-maileve pas disa netësh pa gjumë për shkak të një fatkeqësie familjare, zbulova se brenda pak orësh Bashkia Tiranë kishte vendosur nëpërmjet email-it prishjen e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar dhe menjëherë kishte caktuar mbledhje për të diskutuar projektin e godinës së re në atë truall.
Mëngjesin e 13 majit në postën time elektronike më kish ardhur njoftimi për mbledhje Këshilli Bashkiak online (i thëncin) ku në asnjë nga pikat e rendit të ditës nuk përmendej cështja e Teatrit. Të nesërmen, dt 14 maji, një e-mail tjeter lajmëronte shtimin e cështjes së prishjes së Teatrit Kombëtar me lajmërimin se këshilltarët do mund të dërgonin votën e tyre nëpërmjet e-mail më 15 maj, ora 12:00. As diskutime dhe asgjë tjetër përvec votës pro ose kundër në Këshillin me një opozitar të vetëm, përfaqësuesin e Bindjes Demokratike atje, që jam unë.
Por Lali Eri nuk paska duruar as të vinte data 15 maji, sepse sic raportuan mediat mbrëmë dhe sipas disa burimeve nga Bashkia, mbledhja ishte mbyllur brenda disa orësh, sapo në adresën e-mail të sekretarisë së Këshillit Bashkiak kishin dërguar votën e tyre pro vendimit për prishjen e Teatrit Kombëtar 60 këshilltarë. Dhe pasi kishin prishur Teatrin nëpërmjet postës elektronike, Bashkia lajmëroi po dje zhvillimin e një mbledhje Këshilli të hënën më 18 maj ora 11, ku tashmë do të diskutohej ndërtimi i godinës së re.
Për të mos u marrë më me idjotësinë e vendimit të braktisjes së zgjedhjeve të 30 qershorit, që nëse nuk do të ndodhte do i pamundësonte Veliajt prishjen e Teatrit për shkak të mungesës së shumicës së cilësuar pre 3/5 të votave që kërkohet në Këshill, në këtë rast, të cudit hermetizmi i punës së Bashkisë edhe në kushtet kur kontrollon 60 nga 61 këshilltarë bashkiakë.
Personalisht kam kundërshtuar me forcë aferën e ndërtimit të kullave nën alibinë e Teatrit të ri. Por kur Rama dhe Veliaj u zbythën nga kjo aferë e rëndë korruptive isha i dyzuar midis idesë për të mbështetur rikonstruktimin e godinës ekzistuese duke mbrojtur identitetin e saj apo ndërtimit atje të një godine të re që i përgjigjej kohës. Besoja dhe besoj që referendumi është i vetmi mekanizëm që duhet ushtruar në raste kaq të diskutueshme edhe sepse Bashkia Tiranë dhe cdo institucion publik e ka detyrim ligjor të marrë vendime duke i konsultuar me publikun. Aq më tepër për një cështje kaq të rëndësishme që dikton opinionin prej më shumë se një viti.
Ndërsa mënyra se si sillet Bashkia Tiranë është krejt e kundërta. Në vend të debatit Veliaj bën akrobacira vetëm e vetëm që të fshehi vendimin e prishjes dhe që mendimin e tij të mos mund ta shpreh as këshilltari i vetëm opozitar në sallën e Këshillit Bashkiak. Se për të marrë mendimin e publikut apo të vetë komunitetit të artistëve në këtë rast as që bëhet fjalë sigurisht.
Arsyetimi se i kanë të gjitha votat ndaj dhe mund të bëjnë c’të duan është sa banal, antiligjor, aq edhe i frikshëm. Fakti që kundërshtari të dhuron pushtet në tavolinë nuk mund të jetë justifikim për të abuzuar me të. E kundërta duhet të jetë e vërtetë