Drejtori për rajonin evropian i OBSH, Dr Hans Kluge, këshilloi vendet që po fillojnë të lehtësojnë masa kufizuese, që të bëjnë kujdes, pasi tani është “koha për përgatitje, jo festime”
“Vendet evropiane duhet të kujdesen për një valë të dytë vdekjeprurëse të infeksionit nga koronavirusi sepse pandemia nuk ka mbaruar” tha zyrtari.
Dr Kluge theksoi se, pasi numri i rasteve të Covid19 në vende si Britania e Madhe, Franca dhe Italia kishte filluar të binte, nuk do të thoshte se pandemia ishte në përfundim.
Shtetet tha ai duhet të përdorin periudhën aktuale për të ndërtuar kapacitete në spitale dhe për të forcuar sistemin e shëndetësisë.
“Singapori dhe Japonia e kuptuan që herët se kjo nuk është një kohë për të festuar, është një kohë për përgatitje. Kjo është ajo që po bëjnë vendet skandinave ata nuk përjashtojnë një valë të dytë, por shpresojnë se ajo do të lokalizohet dhe ata mund të hidhen mbi të shpejt. Unë jam shumë i shqetësuar për një valë të dyfishtë në vjeshtë, ne mund të kemi një valë të dytë të Covid dhe një tjetër të gripit sezonal ose fruthi. Dy vjet më parë kemi pasur 500,000 fëmijë të cilët nuk morën vaksinën e fruthit” tha Dr Kluge.