Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar sot të gjithë tatimpaguesit, të cilat kanë përfituar nga paketa e parë e ndihmës ekonomikë se duhet të kenë parasysh disa rregulla. Në një njoftim, Tatimet bëjnë me dije se nëse gjatë plotësimit të Kërkesës për përfitim të ndihmës financiare, kanë zgjedhur “Jam dakort” në seksionin “Deklarimi dhe pagesa e sigurimeve shoqërore e shëndetësore do të bëhet nga tatimpaguesi për këtë periudhë”, atëherë duhet të vijojnë me deklarimin dhe pagesën e Kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe TAP, sipas të dhënave të muajit Prill 2020.
Më tej shtohet se nëse gjatë plotësimit të Kërkesës për përfitim të ndihmës financiare, kanë zgjedhur “Nuk jam dakort” në seksionin “Deklarimi dhe pagesa e sigurimeve shoqërore e shëndetësore do të bëhet nga tatimpaguesi për këtë periudhë”, atëherë kanë mundësi, por jo detyrim, që në listëpagesë të plotësojnë kutizën “Pa aktivitet”. Në këtë mënyrë për periudhën Prill 2020, pa larguar punonjësit, mund t’a dorëzojnë Listëpagesën.
Pavarësisht se në Kërkesën për përfitim të ndihmës financiare, ka zgjedhur opsionin “Nuk jam dakort”, nëse tatimpaguesi ka mundësi për të paguar Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe TAP, mund të vijojë me deklarimin dhe pagesën sipas të dhënave të periudhës Prill 2020 (në këtë rast, në listëpagesë nuk duhet plotësuar kutiza “Pa aktivitet”
Tatimet sjellin në vëmendje të tatimpaguesve se afati i deklarimit të Listëpagesës dhe pagesës së Kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe TAP, për periudhën Prill 2020, është data 20 maj 2020.