Replika të ashpra janë shkëmbyer mes gazetarëve Mira Kazhani dhe Blendi Fevziu.
Fillimisht ishte gazetari Fevziu, që deklaroi se punësimi në ndëmarrje si UKT i gazetarëve, është i papranueshëm.
Në gjykimin tim është absolutisht e papranueshme, jashtë çdo standarti, që dikush të paguhet në një strukturë tjetër, qoftë politike ose jo dhe të ruajë më pas edhe staturën e gazetarit. Kush merret me gazetari le të qëndrojë brenda gazetarisë. Unë e di që ka gazetarë që bëjnë dy-tre punë, por bëjnë dy-tre punë brenda profilit të tyre. Një punë që bie ndesh me impenjimin që ka, sigurisht që është e papranueshme, deklaroi Fevziu.
Në një reagim ndaj Fevziut, Mira Kazhani shkruan në rrjetet sociale, se Fevziu u ka shërbyer gjithmonë oligarkëve dhe politikanëve dhe se posedon një vilë 5 milionë euro.
Këto ditë pandemie me dy gjëra janë argëtuar shqiptarët: Rroga ime si punë e dytë shteti dhe vila 5 milionë euro e Fevziut ku ai poston në Instagram luksin e tij. Me rrogën time mund të shtysh muajin, por me miliardat e Fevziut gjithë jetën e tij në shërbim të pushtetit, politikanë e oligarkë, shqiptarët mund të shikojnë atë çfarë është vërtet korrupsioni në shtypin shqiptar.
Dhe të vjen neveri kur për rrogën time bëhet gjyq nga Fevziu, kurse për miliardat e Fevziut nga pushtetet bëhen emisione suksesi. Sa për mua, unë kam bërë vërtet një gabim, etik, për të cilin po mendohem mirë Blendi Fevziu“, shprehet Kazhani.
Gazetarja Kazhani ka qenë në vëmendje ditët e fundit, pasi u zbulua se ajo ka qenë e punësuar në UKT, një ndërmarrje në varësi të Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që drejton edhe një portal. Kazahni dha dorëheqjen nga ky post, pas reagimeve të shumta që shkaktoi ky lajm.
Ndërkohë, kryebashkiaku Veliaj e justifikoi punësimin e gazetareve në UKT, duke thënë se ato ishin punësuar si specialiste të medias, por shtoi se UKT në të ardhmen duhet të jetë më transparente.