Nga Albert Vataj Bep Shiroka, padyshim është aktori i roleve të skalitura në kujtesën e kohës, simboli i mishërimit të karaktereve dhe personazheve. Bep Shiroka është më emblematiku i teatrit dhe kinemasë, jo vetëm shkodran por gjithëshqiptare. Rolet dhe karakteret që pasurojnë galerinë e krijimtarisë së tij, mbeten rrezellitëse. Ai mishëroi vetveten, dha pa kursim prej saj gjithçka pati, i’u mëtua nevojës për vlerën skenike me mish e me shpirtë. Edhe në rolet episodike, ai spikat. Dallon prania e Bep Shirokës, magjia me të cilën ai mbushi personazhet që luajti në teatër dhe kinema. Loja virtuoze shëmbëllen aktorin e kultivuar që gjallon rol pas roli nën peshën e vetvetes që jetëson Shiroka.
Duke rrëmuar në treguesit e veprimtarisë së tij qëmtojmë se Bep Shiroka pas disa vjet aktivizimi në trupat amatore në vitin 1960 thirret të aktivizohet në Trupën Profesioniste të Teatrit “Migjeni” prej regjisorit asokohshëm, Tefik Duka. Roli i tij i parë do të jetë një rol i dytë në dramën Nora e Kelmendit, ku ai do të interpretojë shkëlqyer dhe do ta justifikonte këtë besim.
Kësisoj do të merrte në dorë dhe të injektonte me përgjegjësinë profesionale solin kryesor në dramën Histori Irkutase. Rrugëtimin e tij aktorial do të lëshohej hovshëm në kaplimin shumëpjesëmarrës rolesh dhe tipizimesh, karakteresh dhe identitetesh skenike. Plot 150 rolet që skaliti me përgjegjësi të lartë si aktor, do ta bëjnë atë të dashur jo vetëm për publikun shkodran por edhe për atë mbarëshqiptar. Këtu mund të veçojmë interpretimet e tij në komedinë “Çifti i lumtur”, në dramën “Dasëm me Flamur” të dhënë para shqiptarëve në Maqedoni, dramën “Franku i V-të” e shumë të tjera. Në vitin 1998 pasi del në pension shkëputet nga teatri për t’u rikthyer 10 vjet më vonë në vitin 2008 me rolin e Rezarit në dramën “Putargat e thata” të Stefan Çapalikut
Në mbamëndje duke riardhur kujtojmë se roli i tij i parë në kinema do të jetë ai i Ram Sokolit në vitin 1970 në filmin “Lugina e pushkatarëve”, por roli që do ta bëj atë të pavdekshëm para gjithë artdashësve do të ishte ai i babait fanatik në filmin “Çifti i Lumtur”, në vitin 1975. Më tej do të vazhdonin edhe më se 30 role të tjera të interpretuar me shumë mjeshtëri. Këtu mund të përmendim rolin e xhandar Veselit në filmin “Koncert në vitin 1936” në vitin 1978, rolin e Bajraktarit në filmin “Besa e Kuqe” në vitin 1982, rolin e babait të Bardhylit në filmin “Kur hapen dyert e jetës” në vitin 1986 etj. Roli i tij më i fundit do të jetë ai i Shefit të sigurimit, në filmin shqiptaro-kanadez “Gruaja pa flatra”. Në karrierën e gjatë të tij nuk mund të lemë pa përmendur edhe rolin e tij si skenograf në Teatrin “Migjeni” e lidhur kjo me pasionin e tij për pikturën, duke realizuar për këtë teatër mbi 30 skenografi për shfaqje të ndryshme. Një nga shfaqjet që më shumë lidhet me profesionin e tij si skenograf është komedia “Çifti i lumtur”. Për meritat e tij artistike Bep Shiroka është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”. Jo vetëm në skenë por edhe në përditshmërinë e tij, ai shndrit me hiret dhe shtatin, mirësinë dhe kumtin shprehës të një përçuesi energjishë pozitive.
Diçka më shumë për këtë Bep Shirokën mund ta përfotin më poshtë në ripublikimin e një interviste të Zef Palit realizuar me Aktori i njohur i kinematografisë dhe teatrit shkodran, Bep Shiroka, me rastin e 70-vjetorit të lindjes
Si lindi tek ju dëshira për t’u bërë aktor? Rruga e artit skenik ka qenë një zgjedhje e rastësishme. Im atë ka qenë Kolë Shiroka dhe njihej si një ndër organizatorët e karnavaleve të famshme të Shkodrës, ndërsa nëna e ka pasur në natyrë humorin. E ardhur nga familja e famshme e Daiajve, nëna më la si trashëgim shumë nga natyra e saj.
Kur nisët të luanit në skenë dhe cili ka qenë roli juaj i parë? Kam hyrë në skenë nga fillimi vitit 1960 në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Një nga regjisorët e atëhershëm të teatrit “Migjeni”, Tefik Duka, ka qenë personi i parë që më ka bërë ftesën. Në Teatrin “Migjeni” kam hyrë në një kohë me Rrok Dajçin dhe me Paulin Prekën. Roli im i parë ka qenë në dramën “Nora e Kelmendit”. Menjëherë pas kësaj kam pasur rolin e dytë, që ka qenë rol kryesor, atë të Viktorit në dramën “Histori Iskutare”, e cila ishte edhe tema ime e diplomës.
Si e kujtoni rolin tuaj tek filmi “Çifti i lumtur”? Kam pasur emocione të mëdha në xhirimet e “Çiftit të lumtur”. Kam luajtur krahas aktorëve të mëdhenj si Nikolin Xhoja, Tinka Kurti, Paulin Preka, Vitore Nino, Justina Aliaj. Roli nuk ka qenë i panjohur, pasi ishte vënë më parë në skenën e teatrit “Migjeni”. Kur më dhanë rolin, si zakonisht ngurova. Ishte diçka e re, pasi nuk kisha shumë kohë në teatër, por më pas punova shumë. E kam studiuar me hollësi këtë rol. Në fakt “fanatiku” nuk ishte larg mentalitetit të shkodranit, pavarësisht vështrimit grotesk të tij. Xhirimet kanë qenë jo të lehta, aq më pak për kushtet në të cilat zhvilloheshin. Më është dashur të mbaj gjithnjë të njëjtin qëndrim në fytyrë, pa harruar asnjëherë të mbajë qafën mënjanë, për t’iu përshtatur rolit.
Si e gjykoni situatën në të cilën ndodhet sot teatri shqiptar? Për vetë profesionin që kam pasur, për përkushtimin që i kam dhënë, mbetet gjithçka për mua. Më dhemb jashtëzakonisht shumë situata ku ndodhet teatri. Janë disa faktorë që e kanë çuar teatrin në këtë gjendje. Në radhë të parë, kushtet financiare ku një aktor merr 160 deri në 170 mijë lekë të vjetra në muaj.
A keni provuar ndonjëherë të luanit role jashtë tabuve?Natyrisht, por vonë. Filluam me regjisorin Albert Kumbaro dhe vumë në skenë “Frankun e V”, që është një Makbeth i ditëve tona. Ka qenë një ndër premierat më të arrira, por fatkeqësisht në vendin dhe kohën e gabuar. Premiera është dhënë në vitin 1991, kur ishte ende e nxehtë atmosfera e djegieve të dhjetorit, të vrasjeve të 2 prillit, të djegies së Komitetit të Partisë.
A do të pranonit të riluanit në skenë, a në ndonjë film? Jo. Kam pasur mjaft oferta në Shkodër dhe në Tiranë, por nuk dua të riluaj më. Ndër interpretimet e fundit ka qenë “Ishulli i Shitenit”, një dramë e Albri Brahushës, që pati mjaft sukses. Dua të jem pensionist dhe të kem kohë për pasionin tim, pikturën.
Nga aktrimi, tek pasioni për pikturën Pas 43 vitesh në skenë dhe në film, Bep Shiroka i është rikthyer pasionit të dikurshëm pikturës. Shumë pak vetë i njohin meritat e tij si skenograf e aq më tepër si piktor. Në shtëpinë e tij, në një apartament në afërsi të gjimnazit jezuit në Shkodër, varen në mure disa dhjetëra piktura që mbajnë firmën e tij. Sot ai është 70 vjeç dhe jeton në pension. “Kam qenë piktor dhe fotograf para se të isha artist i skenës, ndërsa nuk i jam ndarë figuracionit” , tregon ai. “Kam pasur sukses dhe në skenografi. Mbase po të mos isha aktor, mund të kisha qenë piktor ose fotograf”, thotë Bep Shiroka. Karriera e tij e gjatë si artist numëron mbi 150 role në premiera nga më të ndryshmet në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, mbi 30 filma, ndërsa numëron më shumë se 30 skenografi dhe dekore në premiera të ndryshme. “Çifti i lumtur” në skenën e teatrit “Migjeni”, lidhet ngushtë me emrin e Bep Shirokës, pasi spikat jo vetëm në rolin e tij, por edhe në ideimin e skenografisë.
Emocioni në rolet e vogla Si me të qeshur Bep Shiroka thotë se çuditërisht njerëzit janë mësuar ta shohin vetëm në rolin e aktorit të humorit, por ai ka pasur të preferuar dramën. Mbase është më e shpejtë e qeshura dhe mbahet mend më shumë nga njerëzit. Megjithatë kam pasur sukses në të dy gjinitë, thotë Bepi.
Bep Shiroka kujton me nostalgji pritjen që i është bërë në vitet 80 në Kosovë. Kanë qenë të gjitha sallat e mbushura plot e përplot, thotë Bepi. Lulet e dhuruara nga kosovarët ishin gjithçka për ne aktorët e Shkodrës”, shprehet ai. Të njëjtin sukses, thotë ai, kemi pasur edhe në dramën “Dasmë me flamur” të interpretuar për shqiptarët e Maqedonisë. Ndonëse ka qenë ndër aktorët e preferuar dhe të zgjedhur të regjisorëve, ai ka pasur edhe disa role të vogla të arritura mjaft mirë. Bep Shiroka thotë se kujton si ndër më të veçantët një rol në dramën “Hetimi”
“Ka qenë një interpretim vetëm 7 minuta. Aty kam përjetuar emocione të forta në të gjitha shfaqjet e kësaj drame. Ishte një monolog shumë i dhimbshëm. Në shtatë minuta shfaqej i gjithë holokausti, vuajtjet e njerëzimit gjatë Luftës të Dytë Botërore në kampet e përqendrimit të nazizmit, që nga krijimet e deri në krematorët masive” thotë Bepi.