Gjashtëmbëdhjetë persona, bashkëpunëtorë të ish Sigurimit të Shtetit, kanë tentuar gjatë vitit 2019, të bëhet pjesë të organeve të drejtësisë, institucioneve të tjera të pavarura si dhe të emërohen në poste të rëndësishme në degë të tjera të administratës publike.

Lidhja e tyre me ish Sigurimin e Shtetit është zbuluar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) Gjatë vitit 2019, Autoriteti i Dosjeve ka verifikuar 342 kandidatë për tu emëruar në pozicione të ndryshme, për lidhje të mundshme me të ish Sigurimin e Shtetit, strukturën famëkeqe të regjimit komunist.

Verifikimi është bërë me kërkesë të institucioneve përkatëse. Këto të dhëna reflektohen në dokumentin e AIDSSH për veprimtarinë gjatë vitit 2019

Kandidatët janë verifikuar në kuadër të vlerësimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve/zyrtarëve përpara emërimit apo ngritjes në detyrë.

“Kërkesat e paraqitura në AIDSSH nga institucionet kushtetuese apo autoritetet publike janë trajtuar me prioritet në mbledhjet e Autoritetit, deri në përmbylljen e procedurës dhe kthimin e përgjigjes për rezultatet e verifikimit, institucioneve të cilat kanë paraqitur kërkesën” thuhet në dokument.

Gjatë vitit 2019, pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit janë paraqitur 506 kërkesa individuale për informim kryesisht nga të prekurit apo nga të afërmit e të prekurve 158 kërkesa për pajisjen me vërtetim për periudhën e internimit dhe/apo burgimit, 29 kërkesa për zbardhjen e bashkëpunëtorëve dhe 105 kërkesa studimore

Gjatë vitit 2019, Komisioni i Deklasifikimit dhe Zhvlerësimit pran Autoritetit të Dosjeve ka marrë 35 vendime, duke vendosur deklasifikimin e 561 dosjeve me 92 777 fletë dokumentesh, kundrejt 33 700 fletë në vitin 2018.

Po ashtu, gjatë vitit 2019 janë digjitalizuar rreth 1356 dosje me 216 000 dokumente arkivore, (kundrejt 119928 në 2018) nga të cilat 904 janë dosje fizike dhe 452 dosje të mikrofilmuara. Puna e AIDSSH do të vlerësohet nga Komisioni i Ligjeve me anë të një rezolute, e cila do të miratohet nga Parlamenti