“Në 18 maj do hapen baret e restorantet që kanë shërbime në ambiente të hapura” ky ishte lajmi që u tha nga Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë. Në pamje të parë i duk një masë lehtësuese që do i jepte një frymëmarrje ekonomisë, por nëse e shohim të plotë njoftimin e autoriteteve, është thjesht një flluskë e radhës.

Sipas udhëzimeve baret, lokalet e restoranet që kanë ambiente të hapura do presin klientët nga ora 05:00 deri në 17 :30, vetëm 10 orë e 30 minuta.

Por a është ky orar i mjaftueshëm që ky sektor të nis ngritjen?

Përgjigja është e thjeshtë: JO! Ky orar i kufizuar për këtë sektor që është një ndër kryesorët në vend, (Pasi numërohen 518 bare për çdo 100 mijë banorë, duke kapur rekord jo vetëm në Europë, por edhe në botë.) nuk e kthen në jetë, por vetëm sa i ngul thikën e radhës pas shpine.

Orari i hapjes së këtyre bizneseve është i papërshtatshëm, pasi ata do punojnë me gjysmë kapaciteti, gjysma e punëtorëve të këtij sekstori do jenë sërish pa punë. Po ashtu klientët do jenë të paktë, pasi në këtë orë shumica do jenë në punë, e të tjerët duhet të detyrohet të qëndrojnë në shtëpi, pasi dalja bëhet vetëm me leje dhe lirinë mund ta shijosh vetëm dy orë.

Në këto dy orë, dalja duhet të bëhet vetëm, e gjatë kësaj kohe mund të kryesh shërbime të nevojshme. Pra koha për të shkuar në bar apo restorant nuk është e mjaftueshme, e në disa raste nuk ke mundësi fare pasi 120 minutat konsumohen me aktivitetet e tjera.

Lejen për të dale nga shtëpia mund ta marrë vetëm një person i familjes, pra minimumi 1/4-ta e popullësisë e maksimumi 1/3-ta. Që do të thotë se klientët në këtë sektor do jenë 3 apo 4 herë më pak, nëse 120 minutat e liri-daljes do të shfrytëzoheshin vetëm për të shkuar në bar apo restorant.

Nëse përmbledhim vendimin e qeverisë në një fjali mund të ishte: Lokalet e restorantet mund të hapen, por nuk do kenë klientë, e gjysma e punëtorëve të tyre do jenë sërish të papunë. Por sërish mund të qëndrojnë hapur, e qeveria të mos u japë më pagën e luftës.

(a.b/dosja.al)