Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, reagon pas zbardhjes së krimit të dyfishtë në Durrës, ku u arrestuan autorët e vrasjes së vëllezërve Haxhia, duke paralajmëruar se të gjithë kriminelët do të përballen me ligjin.

Përmes një mesazhi në “Facebook” ministri Lleshaj shkruan se kjo goditje tjetër e fortë kundër krimit të organizuar provon se as pandemia dhe asgjë tjetër nuk arrin të cenojë sadopak angazhimin e Policisë sonë në këtë front prioritar.

Mesazhi i Lleshajt

Zbardhja e plotë dhe arrestimi i të dyshuarve për dy vrasje në Durrës është një sukses i rëndësishëm i Policisë së Shtetit.

Kjo goditje tjetër e fortë kundër krimit të organizuar provon se as pandemia dhe asgjë tjetër nuk arrin të cenojë sadopak angazhimin e Policisë sonë në këtë front prioritar.

Lufta kundër krimit të organizuar, kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve apo lëndëve narkotike, përmirësimi i parametrave të sigurisë rrugore dhe angazhimi i fortë kundër dhunës në familje janë prioritete absolute për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit.

Policia e Shtetit, drejtuesit dhe punonjësit e saj në të gjitha nivelet meritojnë urimet më të mira për sukseset e shënuara gjatë gjithë këtyre ditëve të pazakonta, ku spikat pa dyshim, goditja e fortë në Durrës.

Të njëjtat falënderime i drejtohen dhe prokurorëve të Prokurorisë Durrës, të cilët kontribuuan thelbësisht në suksesin e operacionit “Shën Vlashi” duke dëshmuar kështu bashkëpunimin përherë e më të mirë mes Policisë së Shtetit dhe degëve të Prokurorisë në të gjithë vendin.

Për këdo që ka humbur rrugën e jetës së ndershme dhe është futur në udhën qorre të krimit, një gjë duhet të jetë e qartë: është vetëm çështje e shkurtër kohe. Të gjithë do të përballen me ligjin.

Edhe njëherë urime për Policinë Shqiptare!

https://www.facebook.com/lleshajsander/videos/236165691026977/