Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i është përgjigjur ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili foli me tone të ashpra në Kuvend, duke dalë kundër kontratës koncesionare në Porto Romano, pasi sipas tij, qeveria duhet të ndahet nga oligarkët
Po nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se fjala e Bushatit iu duk si fjala e Grida Dumës, që thotë se “I shoh gjërat mirë nga jashtë, por sme duken mirë nga brenda”. Sipas numrit dy të PS, fjalimi i Bushatit ishte patetik thjesht për të kapur lajmin e ditës.
“Nuk besoj që kolegu im të ketë votuar kundër. Unë nuk kam qenë ndonjëherë anëtarë i qeverisë, por vetëm deputet. Fjala e kolegut m’u duk si fjala e Grida Dumës “I shoh gjërat mirë nga jashtë, por s’më duken mirë nga brenda’. Kur vjen këtu, ne duhet të japim shembullin. Kjo historia e diskutimeve patetike thjesht për të kapur lajmin e ditës nuk i bën nder askujt. Kontrata koncesionare në Porto Romano është një domosdoshmëri për të çliruar në të ardhmen Portin e Durrësit nga ndotjet. Historia që m’u në qendër të Durrësit shkarkohen plehra nuk duhet të vazhdojë” tha Balla.