Pavarësisht spekulimeve mbi shëndetin e Kim Jong Un, pyetja se kush mund ta pasojë në pushtet në një periudhë afatshkurtër apo afatgjatë, mbetet gjithnjë prezente.

Një anëtar mashkull i familjes ka qenë në krye të Koresë së Veriut që nga themelimi i saj nga Kim Il-sung në 1948, dhe mitologjia e kësaj familje shkon thellë në të gjithë shoqërinë.

Propaganda për madhështinë e familjes fillon për qytetarët përpara se ata të mësojnë të lexojnë: parashkollorët këndojnë një këngë të quajtur: “Dua të shoh liderin tonë Kim Jong-un”.

Pra, si mund ta imagjinojmë Korenë e Veriut pa këtë figurë simbolike dhe politike në krye? Si do të organizoheshin elitat e tyre, si dhe shoqëria në tërësi?

BBC thotë se ne nuk e dimë. Më interesante, ata as nuk e dinë.

Gjithmonë një Kim

Linja mitike e gjakut “Paektu” e familjes, e quajtur sipas majës më të lartë në Gadishull, thuhet se u jep vetëm anëtarëve të drejtpërdrejtë të familjes të drejtën për të sunduar kombin.

Paektu është mali i shenjtë dhe i mitologjizuar, ku thuhet se Kim Il-sung ka zhvilluar luftë guerile dhe ku thuhet se ka lindur Kim Jong-il. Gjithmonë ka qenë një Kim në zemrën ideologjike të vendit, shkrun SHQIP.

Si do të ishte Koreja e Veriut pa një trashëgimtar të tillë? Kim Jong-un, 36 vjeç, besohet se ka fëmijë – por ata janë shumë të rinj. Mendohet se ai ka tre fëmijë, më i madhi 10 dhe i vogli 3 vjeç. Vetë Kim Jong-un u konsiderua i ri kur mori pushtetin, ai ishte 27 vjeç.

Tre Kim-ët pretendentë për pushtet

Janë tre KIM që mund të përfshihen në përbërjen politike të Koresë së Veriut nëse Kim Jong-un do të zhdukej. Të gjithë përballen me kufizime në ushtrimin e rregullit familjar.

E para është Kim Yo-jong, motra më e vogël e Kim Jong-un. Ajo thuhet se ka qenë e preferuara e babait të saj me interes për politikë që në moshë të re. Kohët e fundit është shfaqur krah vëllait të saj në disa samite të rëndësishme.

Sidoqoftë, ajo është një grua dhe kjo e bën të vështirë të imagjinohet se ajo do zërë pozitën e lartë në një vend kaq thellësisht patriarkal. Të jesh udhëheqës suprem, dhe sigurisht drejtimi i ushtrisë, nuk futet në sferën e detyrave të grave.

I dyti është Kim Jong-chul. Ai është vëllai më i madh i Kim Jong-un, por asnjëherë nuk ka shfaqur i interes për politikë apo pushtet. (Ai dihet se është i interesuar për Eric Clapton.)

I fundit është Kim Pyong-il, gjysmë vëllai 65-vjeçar i Kim Jong-il i cili thuhet se u kthye në shtëpi në nëntor pas dekadash në Evropë si diplomat, shkruan SHQIP.

Një udhëheqje kolektive ka të ngjarë të drejtohet nga Choe Ryong-hae, kreu ceremonial i shtetit të Koresë së Veriut i cili zyrtarisht renditet në vendin 2 në hierarkinë aktuale të vendit. Por Choe nuk është ende një anëtar i familjes Kim, dhe kjo mund të shtrojë pyetje në lidhje me legjitimitetin e tij dhe ta vendosë Korenë e Veriut në një kaos më të thellë politik.