Me një përvojë tashmë disavjeçare, fillimisht në Spitalin Amerikan në Tiranë dhe tashmë në studion e tij private në Shkodër, fizioterapisti i njohur Fatjon Broci ka trajtuar edhe shumë sportistë duke patur sukses në rikuperimin e dëmtimeve fizike të tyre.

Në këtë periudhë, kur sportistët janë prej një muaji e gjysëm pa stërvitje me ekipet por vetëm duke zhvilluar stërvitje individuale, kuptohet që rreziku i dëmtimeve është i madh në momentin që stërvitja do të rinisë dhe ngarkesat stërvitore do të shtohen.

Fiziku i tyre mund të mos i përgjigjet ritmit që do të aplikojnë stafet teknike, por fizioterapisti Broci këshillon që plani i stërvitjes nuk duhet të jetë i njëjtë për të gjithë sportistët, por secili të ketë një plan individual.

Gazeta “Shkodra Sport” ka kontaktuar me të për të marrë këshillat e duhura për sportistët ndërkohë që në dispozicion të tyre është edhe numri i telefonit 0692185420, për çdo këshillë apo problem që mund të hasin gjatë kësaj periudhe. Më poshtë ndiqni intervistën e zhvilluar me fizioterapistin Fatjon Broci:

Pas një muaji e gjysëm pauze, pritet që sportistët të rinisin stërvitjen. Në rolin e fizioterapistit, a mendoni se kjo periudhë mund të jetë edhe burim dëmtimesh për ta ngaqë stërvitja do të jetë më e fortë dhe shumë prej tyre edhe mund të mos e përballojnë ritmin?

Sigurisht që pas ndërprerjes së mënjëhershme të aktivitetit fizik për një kohë kaq të gjatë forma fizike e sportistëve ka pësuar rënie. Shkëputja nga aktiviteti i rregullt stervitor sjell humbje specifike të adaptimeve fiziologjike/anatomike si për shembull rënia e rezitencës, forcës, fleksibilitetit dhe dobësimit të masës muskulare.

Rikthimi në stërvitjen e zakonshme ose më intensive në mënyrë të menjëhershme është një rrezik për dëmtime të sistemit muskulo-skeletik. Normalisht është e nevojshmë që ditët e para të stervitjes të rritet ngarkesa në menyrë graduale dhe të ketë secili lojtar një plan stërvitjeje invididual i cili realizohet pas një analize nga ana e fizioterapistit ose përgatitesit atletik.

Çfarë duhet të bëjë një sportist për të shmangur një dëmtim të mundshëm në këtë periudhë?

Sportistët kanë nevojë për një motivim të vazhdueshëm, kjo gjë nuk duhet të mungojë në asnjë moment. Forma fizike dhe psikologjike janë të lidhura ngushtë me njëra tjetren për këtë duhet gjetur ekuilibri I duhur. Ajo që duhet të ketë parasysh cdo sportist është që duhet të vazhdojë aktivitetin fizik me patjeter edhe në kushtet e shtëpise.

Duhet të punojë më tepër me rezistencën dhe fleksibilitetin disa herë gjatë ditës. Nuk duhet të harrojmë që për ato që sterviten rregullisht kemi edhe memorie muskulare e cila na bën të mundur rikthimin e shpejtë në formë te mirë fizike edhe brenda 10-14 ditëve. Faktorë të rëndësishëm gjithashtu janë ushqimi dhe gjumi, ku tek ushqimi nuk duhet të ulet sasia e proteinave dhe kalorive sic ndodh shpesh nga frika e shtimit të peshës.

Cilat janë dëmtimet më të mundshme për sportistët në këtë periudhë të moszhvillimit të një stërvitje normale?

Rreziku i demtimit tek sportistët është gjithnjë konstant, por në këtë periudhë si rezultat i moszhvillimit të një stërvitje normale rreziku më i lartë është në problemet muskulare dhe tendinoze sic mund të jenë kontrakturat, mikrotraumat muskulare këputjet muskulare, këputjet tendinoze, tendinopatitë e ndryshme si dhe inflamacione të artikulacioneve.


E fundit, a janë të kujdesshëm sportistët për të ruajtur shëndetin e tyre apo neglizhojnë në këtë drejtim?

Krahas vështirësive që mund të kenë në marrjen e informacionit apo edukimit shëndetësorë që kemi ne si shoqëri si dhe shërbimeve disi të munguara që u ofrohen nga institucione të ndryshme them që PO, një pjesë e mirë e profesionistëve sportivë janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e shëndetit të tyre pasi ndikon direkt në performancat e tyre. Gjithashtu ka edhe një pjesë të cilët e neglizhojnë dhe kujdesen për shëndetin e tyre vetëm kur kanë dëmtime apo probleme të tjera por në përgjithesi krahasuar me disa vite më parë ndërgjegjesimi është më i lartë sidomos në brezat e rinj të cilët janë edhe më shumë të informuar.
© shkodrasport.com