Për shkak të lidhjes familjare dhe njohjeve me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, gjyqtarja Fatmira Hajdari ka dhënë dorëheqjen nga shqyrtimi i çështjes ndaj tij. Në seancën e parë gjyqësore, Hajdari ka njoftuar se kërkesën e saj do t’ia paraqesë kryetarit të Gjykatës. Dorëheqjen e ka argumentuar me faktin që çështja të mos paragjykohet. Seanca e radhës do të zhvillohet me 30 prill, ora 10. “Basha ka qenë disa herë në shtëpinë time si kryetar i opozitës në ceremonitë për bashkëshortin tim. Pres që kërkesa ime të pranohet” mësohet të ketë deklaruar ajo.

Gjyqtarja që është bashkëshortja e ish liderit të dhjetorit Azem Hajdari, ka edhe vajzën deputete të PD, Rudina Hajdari. Deputetja nuk pranoi të dorëzonte mandatin, por se vijoi rrugën e saj duke dënuar aktin dhe kërkesën e kryedemokratit Basha për bojkotimin në bllok të Parlamentit. Ndërsa në çdo 8 dhjetor përkujtohet lëvizja e dhjetorit 90, ku demokratët vendosin lule dhe kurora dhe bëjnë homazhe para memorialit të Azem Hajdarit e të pranishëm janë edhe anëtarët e familjes.

Hajdari ishte zgjedhur nga shorti për të kryesuar trupën, në përbërje të cilës janë dhe Alaudin Malaj dhe Shpresa Beçaj, që do të shqyrtonte apelimin prokurorisë ndaj vendimit të marrë nga gjyqtari Lazër Sallaku që pushoi hetimin ndaj kryedemokratit Basha.

Në shkallën e parë të gjykimit, gjyqtari Lazër Sallaku i cilësoi provat të pavlefshme duke rrëzuar akuzën për falsifikim kundër Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD, pasi sipas tij nuk faktohet një gjë e tillë.

Prokuroria nuk ishte dakord dhe vendosi ta apelonte ndërkohë që grupi i prokurorëve u nda në dy qëndrime ku njëri prej tyre, Kol Hysenaj, kërkoi rikthim të akteve për vijimin e hetimeve ndërsa tjetri vazhdimin e gjykimit. Basha akuzohet për kontratën e lobimit në SHBA, me kompaninë Binnata Trade në vlerën e 650 mijë USD, të pa deklaruara.

Vendimi i shkallës së parë është ankimuar nga Prokuroria dhe nga Parlamenti, nëpërmjet kryetarit të grupit të PS, Taulant Balla. Verdikti final për këtë çështje pritet të merret nga Gjykata e Apelit, nëse do të lërë në fuqi vendimin e Lazër Sallakut apo do të pranojë kërkesën e një prej prokurorëve për të rikthyer aktet për hetim.