Organizata Botërore e Shëndetit, ka thënë sot se, pothuajse gjysma e të gjithë njerëzve që vdiqën nga koronavirus në Evropë ishin regjistruar në shtëpitë e kujdesit.

Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge tha në një konferencë për shtyp se para nesh është një panoramë shumë shqetësuese

Sipas vlerësimeve nga vendet në Evropë, afërisht gjysma atyre që kanë vdekur nga Covid 19 ishin rezidentë në institucione të kujdesit afatgjatë. Kjo është një tragjedi njerëzore e paimagjinueshme.

Dr Hans Kluge, tha se njerëzit që punojnë në institucione të kujdesit shëndetësor kanë nevojë për më shumë pajisje mbrojtëse. Ai bëri thirrje për më shumë përpjekje për të mbrojtur punonjësit e shëndetit dhe shtoi se ata kanë nevojë për ndihmë dhe pajisje mbrojtëse.

Njerëzit e përkushtuar, të dhembshur që punojnë në ambientet e kujdesit afatgjatë, të cilët shpesh janë të nënvlerësuar, të pambrojtur, paguhen pak, janë heronjtë e palavdëruar të kësaj pandemie. Ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të siguruar që ata punëtorë të kenë pajisje mbrojtëse personale dhe pajisje të tjera thelbësore për të mbrojtur veten dhe ata për të cilët kujdesen.