Shkrimtari i njohur, Zija Çela, i ka kushtuar disa fjalë prekëse aktorit të ndjerë Rikard Ljarja.
Përmes një stausi në Facebook, Çela ka kujtuar faktin se ka qenë dëshmitar në celebrimin e martesës së tij me Marjetën, ndërsa sot e ka të pamundur që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit për shkak të situatës.
NË MUNGESË, RIKARD Sa pak, sa pak mori Rikard Ljarja dhe sa shumë, sa shumë na dha. Dhe ne përsëri nuk do të mund t’i japim, ndërsa Ai do të vazhdojë të na japë përmes ekranit. Pikëllimi ka ndriçimin e vet dhe në këto çaste ka pikërisht atë të diamantit të zi.
U njohëm herët, në vitet e rinisë së gjimnazit, në Shkodrën e vendlindjes sonë. Nuk e parashihnim atëherë se, një ditë, do të bashkëpunonim në një film artistik, unë si skenarist, ti regjisori dhe aktori protagonist. Është filmi ku gjete Marjetën, protagoniste gjithashtu. Prandaj më ftuat dëshmitar në celebrimin zyrtar të kurorëzimit si bashkëshorte. E sot, ky deshmitari dhe ky kumbari, sot mungon në mortin tënd. E di Rikard, siç e dije fort mirë edhe ti, miku im i ndier, shumë plagë marrim gjatë rrugës së jetës, vdekja është e fundmit që na vret. Por që, njëkohësisht, na përball edhe me të ardhmen tjetër.