Analizimi i të dhënave të papërpunuara nga COVID-19 në provincën e Bergamos konfirmon se shqiptarët janë ndër komunitetet e huaja më të goditura në këtë territor nga kjo pandemi. Italia po mbyll muajin e dytë e gjunjëzuar nga virusi COVID-19, e cila deri më sot ka shkaktuar 23,660 viktima dhe 178,972 të infektuar.
Koronavirusi ka goditur në mënyrë dramatike rajonin e Lombardisë ku u verifikuan vatrat e para të përhapjes së saj, e ku numri i viktimave është aktualisht 12, 213 dhe janë regjistruar 66,236 të infektuar.
Në këtë rajon, COVID-19 ka shkaktuar një bilanc tragjik në veçanti në territorin e provincës së Bergamos ku deri më sot janë regjistruar 10, 689 të infektuar dhe 2,854 viktima. Në territorin e provincës së Bergamos komuniteti i emigrantëve shqiptarë është ndër më të shumtit në numër pas emigrantëve rumunë.
Shqiptarët në Bergamo janë aktualisht rreth 11, 350 por ende nuk ka të dhëna zyrtare se sa është numri i të infektuarve apo i viktimave nga COVID-19. Autoritetet italiane dhe ato shqiptare ende nuk janë në gjendje të japin informacion me të dhëna të plota mbi numrin e emigrantëve shqiptarë në Itali të prekur nga koronavirusi.
Pak orë më parë Organizata Civile për kërkime e analizat sociale në territor, OnData ka publikuar një raport të detajuar të nxjerrë nga analizimi i të dhënave të papërpunuar të pacientëve me COVID-19 në provincën e Bergamos ku ka nxjerrë një identifikim të të infektuarve në këtë territor.
Sipas këtij studimi mosha mesatare e të infektuarve ëshë 64. 6 vjeç, ndërsa e viktimave është 76.5. Ndër komunitetet e huaja të infektuar nga Covid 19 shqiptarët janë ndër më të prekurit. Studimi konfirmon se janë 60 shqiptarë të infektuar nga Covid-19 në Bergamo, 57 rumunë, 47 emigrantë marokenë e 33 janë nga Bolivia.
Grupmosha më e prekur nga koronavirusi në Bergamo është mbi 75 vjeç, dhe 6% e viktimave janë meshkuj. Në Bergamo rezultojnë 22 të porsalindur të prekur nga COVID-19 dhe rreth 60 minorenë /Ora News/