Gazetari investigativ, Artan Hoxha ka komentuar situatën politike në vend në një kohë kur vendi po përballet me pandeminë e koronavirusit. Në statusin e tij, Hoxha shkruan se i bën përshtypje fakti që sulmet Rama-Meta kanë ndalur dhe të dyja palët kanë zgjedhur që të heshtin.
Hoxha nuk ka harruar që të përmendë edhe kryedemokratin Lulzim Basha, që sipas tij ka marrë shumë seriozisht masat e marra prej koronavirusit duke u izoluar në vilën e tij. Në fund, gazetari shkruan se mendon që diçka po zien në politikën shqiptare, duke u kërkuar atyre që të mos bëjnë ndonjë ‘suprizë’
“Nga qeveria, I MADHI, ushtria e rrjeteve sociale nën hyqmin e tyre, nuk po duket asnjë sulm, asnjë akuzë, more asnjë ironi e vogël për be, në adresë të presidentit Meta!!! E njëjta gjë dhe nga ana tjetër. More, më ka marrë malli për një status vënçe, nga ato drithërueset e Tit Vasilit. Lulzim Basha, i ka marrë aq seriozisht masat e izolimit, sa është mbyllur në vilën e tij dhe nuk shfaqet, as në orarin e qarkullimit të pensionistëve, dhe as në orarin e qarkullimit të nënave me fëmijë… Çudi e madhe, diçka po zien, nën rrogoz. Vetëm aman, aman mos na bëni ndonjë surprizë të pabërë nga ato që dini të bëni vetëm ju, jo për gjë, por nuk na mban as zemra, as nervat… Për hajër na dalte!! shkruan gazetari.