Në Ditën e Shenjtë të Pashkëve, Presidenti Ilir Meta i ka përcjellë një urim të veçantë Kardinalit tonë të dashur Ernest Simoni Troshanin, simbolit të rezistencës dhe përkushtimit të pashembullt ndaj vlerave njerëzore dhe idealeve kombëtare.


Me bekimin e Zotit të ketë jetë të gjatë, me plot shëndet e mbarësi!Në këto ditë të vështira të pandemisë botërore, kur besimtarët katolikë po kremtojnë Pashkët me “dyer të mbyllura”, Kardinal Ernest Simoni Troshani me të drejtë na kujton vitet e tij të vuajtjeve dhe torturave çnjerëzore, ku edhe pse i izoluar në qelitë e burgjeve, gjente forcën, kurajon dhe shpresën tek besimi dhe dashuria për jetën dhe njerëzit” shkruan Meta në facebook.
Kreu i Shtetit ka ndarë me ndjekësit e tij edhe disa nga porositë e mençura që jep sot në Festën e Pashkës Kardinali ynë i dashur.
Mos kini frikë! Lutuni dhe sigurohuni që dashuria e Zotit të përcillet për të gjithë. Thyejeni bukën dhe ndajeni atë dhe të mirat tuaja me të varfërit, sepse po i jep Jezusi. Ju kur ndihmoni të pastrehët dhe të sëmurët, keni bërë punën e Zotit. Sot pasuria më e madhe është ndarja. Besimi përbëhet nga vepra dhe mrekulli, jo vetëm nga fjalë. Zoti nuk është vetëm në kisha. Zoti është kudo, Zoti është edhe brenda qelizave tona.

Faleminderit me mirënjohje për këto mesazhe kaq shpresëdhënëse që na jep të gjithëve Ernest Simoni Troshani” e përfundon mesazhin e tij Presidenti.