Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka bërë kërkesë zyrtare drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që seancat gjyqësore për të paraburgosurit që i kanë kaluar afatet e qëndrimit në qeli për shkak të pezullimit të gjyqeve nga situata me COVID-19, të bëhen online. Kërkesa mban datën 26 mars dhe ende nuk ka një përgjigje nga Drejtoria e Burgjeve. Mësohet se nga drejtoria e Burgjeve është duke u punuar që seancat të zhvillohen me të paraburgosurit përmes lidhjeve me Skype.
Report Tv ka siguruar kërkesën ku kreu i GJKKO-s, Sandër Simoni i kërkon drejtorisë së Burgjeve të marrë masa për të njoftuar të pandehurit që ndodhen në qeli për komunikimet me gjykatë dhe marrjen dijeni, për shkak se sipas Simonit shumë afate janë drejt përfundimit.
Në pikën e dytë të komunikimit Sandër Simoni kërkon të shihet mundësia për të siguruar infrastrukturën për krijimin e proceseve me anë të video-konferencës njohur edhe si gjykimi online.
Ndërsa në vendimet e brendshme vetë gjykata e Posaçme kundër krimit e korrupsionit ka vendosur të ndërrojë orarin e punës duke u përshtatur me aktin normative të vendosur nga qeveria.
Sipas vendimit të siguruar nga Report Tv kjo gjykatë do të funksionojë nga ora 07:30 deri në 12:30 ndërsa komunikimet me publikun do të jenë nëpërmjet e-mail dhe telefonit.
Seancat sipas vendimit do të jenë vetëm me dyer të mbyllura pa publik ndërsa u kërkohet edhe policisë së burgjeve të marrin masa mbrojtëse për të përdorur dorezat dhe maskat.
Një ndër gjyqet e shtyra si efekt i masave të Covid-19 është edhe ai për ish-ministrin Siamir Tahiri i cili ndodhet në Apel, ku është vendosur të shtyhet më 9 prill 2020.