Nga Mero Baze
Sot Shkodra përmbysi kurbën e pandemisë në Shqipëri, duke shtuar 12 raste brenda ditës, aq sa kanë qenë tre ditë më parë në gjithë vendin. Sipas datës që u është shfaqur sëmundja, i bie që ata janë pjesë e atyre paradave që bëheshin në Shkodër, një javë pasi ishte vendosur gjendja e karantinës.
Përveç disa mjekëve të përgjegjshëm shkodranë, askush nuk u mobilizua të bindte qytetin, se karantina nuk ishte pjesë e programit të Partisë Socialiste, por një manulal lufte i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Tregjet plot, shëtitorja plot me njerëz me biçikleta, dhe asnjë thirrje e përgjegjshme së paku nga kryetarja e Bashkisë në detyë, e cila rri në zyrë për inat të Edi Ramës, por lë dhe qytetarët të shëtisin drejt vdekjes, po për inat të Edi Ramës. Pastaj, si qershi mbi tortë, një anëtar i Këshillit Kombëtar të PD nga Shkodra, që darkave bën shaka një herë në javë në ekran dhe ditën bën shaka me jetën e qytetarëve, e shpalli karantinën diktaturë të Edi Ramës dhe vendosi ta thyejë për të frymëzuar Shkdorën.
As Lulzim Basha dhe Sali Berisha, që kanë marrë rolin e Kasandrës çdo ditë, nuk u bënë thirrje demokratëve të bastionit të tyre të mbylleshin në shtëpi.
Tani i dëgjoj orë e minutë në përpjekje për të qenë protagonistë në historinë e menaxhimit të situatës.
Ky është një banalitet që më shumë u humbet kredibilitetin dhe ashtu të rrënuar, se sa i bën protagonistë.
Një ditë thonë se Edi Rama po bën çfarë thotë opozita, një ditë thonë Edi Rama nuk bën asgjë nga ato që thotë opozita. Një ditë thonë që duhet të mos përhapim panik, sot të dy, “babë e bir” kanë shpikur se qeveria po fsheh vdekjet. A thua se qeveria rrëzohet po tregoi kush vdiq.
Këtu Edi Rama po na tmerron me vdekjet në Nju Jork e Itali e jo më me vdekjet tona këtu brenda, që mezi pret të na i tregojë, që të rrimë në shtëpi.
E vetmja mundësi institucionale që opozita të jetë pjesë e këtij procesi, qoftë dhe në mënyrë simbolike, është ti ofrojë Qeverisë një personalitet të mjekësisë në emër të saj dhe ta bëjë pjesë të Komitetit Anti-covid19, dhe roli i tij të jetë si garant i transparencës për opozitën.
Kaq ka sens. Të tjerat janë protagonizma qesharake, të cilat me thënë të drejtën, nuk është se i prishin planet apo punët Qeverisë në këtë betejë, por krijojnë pritshmëri të ndryshme në terren, duke ua bërë shqiptarëve më të vështirë përballimin e situatës.
Rasti i “shkëlqyer” që e tregon këtë është Shkodra. Aty opozita ka ndikim absolut politik dhe mund të shkëlqente në rolin e saj konstruktiv, duke u thënë qytetarëve qëndroni brenda dhe zbatoni rregullat. Aty e besojnë opozitën dhe Sali Berishën. Por duke dëgjuar atë, të gjithë e kanë konsideruar planin e Qeverisë, si plan për të vrarë shqiptarët, siç e quan Sali Berisha. Dhe normal me mendtë e Sali Berishës e Lulzim Bashës, e refuzuan atë.
Sot u shafqën pasojat e para të kontributit opozitar në këtë histori. Lusim zotin, mos të ketë pasoja të tjera ky “kontribut”
Se është kollaj të flasësh për ata që dëgjojnë këshillat e Qeverisë dhe të shpikësh fakte. Problemi është si t’ia bëjmë këtyre që mendojnë se duhet dëgjuar opozita dhe përfundojnë nga 12 në ditë në spital.