A është produktive të mësosh matematikë në WhatsAapp? Ose mbingarkesa e panevojshme për fëmijët në karantinë . Dje publikuam një lajm nga Itali, ishte një apel i psikologëve, për shkollën dhe prindërit Mos i ngarkoni fëmijët më shumë nga sa mund të mbëjnë në këto kushte. Kompjuteri e telefoni nuk e zëvendësojnë dot klasën e shkollës e as prindërit nuk i zëvendësojnë dot mësuesit. Ndërsa në një emision televiziv, pak ditë më parë, dëgjova një mësuese shqiptare që kishte mbetur në Kinë, e që tregonte se atje, me nxënësit thjeshtë përsëriteshin mësime të shkuara për ti mbajtur të karikuar me shkollën.


Kam biseduar me shumë mësues dhe prindër që kanë fëmijë në shkollë. Ajo që më thonë është një “dramë” e vërtetë! Nxënësve çdo ditë u “shpjegohet” sipas planit mësimor, mësimi i ri në telefon. Nxënësit duhet të bëjnë detyrat, dhe ua dërgojnë mësuesve po në telefon. Mësuesit i korigjojnë dhe ua kthejnë përgjigjet sërish në telefon. Kjo ndodh edhe me gjeografinë, edhe me matematikën, edhe me letërsinë


Mësuesit dhe nxënësit janë në “WhatsApp group”. Mësuesi e zgjidh një ekuacion, e bën foto dhe e hedh në grup. Grupi gumëzhin, nga mëngjesi deri në mesnatë. Secili pyet kur i del gjumi, secili përgjigjet kur ia ka ënda. Dhjetra mesazhe, dhjetra detyra, foto, skica, vidoe.

Pastaj në darkë, mësuesja duhet të dorëzojë tek “drejtori digital”, e drejtori në “inspektoriatin digital” e inspektoriati në “ministrinë digitale”, edhe listën me emrat e nxënësve që kanë marrë pjesë në mësim, numrat e tyre të telefonit, adresat e email-it, emrat e prindërve dhe numrat e tyre të telefonit, mundësisht edhe opinionin e prindërve për njohuritë që ka marrë fëmija.


Fëmijët që përpiqen të ndjekin mësuesen, prindër që përpiqen të bëjnë mësuesin, aq sa munden, për të ndihmuar fëmijët në këtë strapacim karantinoro-shkollor. Dhe në fund, mësuesja, që ka edhe fëmijët e saj në shtëpi, lutet që ta zërë korona, pasi në spital do të jetë shumë më e lumtur.
Nuk e di se çfarë bëjnë në vendet e tjera. Por nga sa jam informuar, produktiviteti i këtyre metodave është shumë i vogël. Drejtoritë e arsimit, më shumë janë të interesuara për të plotësuar dokumenta e letra pa fund, që të jenë në rregull me raportimet.


Nuk jam ekspert i arsimit, por a mundet që metodologjia e mësimit në kushte të tilla të ishte pak më e thjeshtë, dhe jo kaq shumë burokratike? A mund të ishte më pak e lodhshme për nxënësit dhe vetë mësuesit?
Tek e fundit, le të hidhen përpjetë mësuesit, matematika, kimia e fizika nuk mesohen me WhatsAapp. Mos ua rëndoni më shumë stresin fëmijëve në këto ditë, që do të mbeten përjetësisht në kujtesën e tyre.