Jo për me u mburrë, po unë kam 3 vjet në nji gjysë karantinë.
Pllakat e aneksit i kam pasë numëru kaherë dhe jo vetëm ato, por edhe lugët, pirunjtë e thikat, tek i laja me lotë në lavaman.

Mësova me ba çdo gja brenda katër mureve të shtëpisë, në 6 muaj dimër çdo vit. I ftohti i acarte, akulli e sidomos mungesa e diellit, më vrisnin çdo frymëzim. Per mos me folë për alergjinë që fitova në një ajër të mbyllun.
E keshtu çdo mëngjes, numëroj edhe teshtitjet. Kur erdha këtu pashë se nuk flitej e njëjta frëngjishte që kisha mësu. Në çdo dalje, nuk kisha kë me përshëndetë.


Isha pasë mësu keq në Shkodër, me u ndalë 7 herë veç në distancën Xhabije Parrucë. Marrëdhaniet me njerëz nuk qenë zgjedhja jeme, por detyrimi me dalë në punë, me Bonjour e kortezie.


Kam dëgju njerëz të gajasen me batuta që nuk i kuptoja, e kur i kuptova, qesha me personazhet, pasi veç humor nuk më dukej.
Humba 1 prind dhe në krye të javës u riktheva në emigracion, me zemrën copë e asnji njeri me kë me nda dhimbjen. Askush nuk e njifte babën tem e në fund të fundit, as mu.


E nesërmja priste prej meje, të njëjtën jetë robotike, me veprime të fragmentume që përsëriten identikisht. A thua se vdekja e babës nuk kishte ndodhë.


Ndjej natyrshëm përbuzje për këdo që e ban vedin prush përtokë në Shqipni, që nuk i ban syni dritë dhe e projekton vedin mrekullisht në tokë të huaj.

Bagazhet e mia qenë fort të randa për me u tërhekë lehtë. E distancimi social asht i paevitueshëm, ndryshe do tretesha edhe une si krypa në ujë, do bahesha njish me një turmë me të cilën nuk më lidh kurgja.
E fundja, askush nuk ma ka borxh gjithë këtë cinizëm. Qeshë mësu me marrëdhanie të vërteta. Të vështira, por të sinqerta.

Qeshë mësu me gëzu me gjana të vogla, e me u zgju në mëngjes plot forcë për me përballu çdo gja. Virusi i sotshëm asht nji mësim i hidhun për shumë, e për disa si puna jeme, nji patetizëm i shtum në listën e absurditeteve që kam kapërdi tesh 3 vjet.


Jam e lumtun qe im atë nuk po e jeton këtë histeri. Jo për gja, po nuk do kishte njeri ta ndalte me dalë me ble gazetën përditë. Axha po ashtu, mendoi që ma mirë të ikte nga kjo botë kur nuk qe i zoti me ecë deri te kafja e lagjes.


Nejse, lani duart sa ma shpesh dhe evitoni daljet e panevojshme nga shtëpia. Te organizata ku punoj e kam çu dorën (e lame), me dalë me ndihmu ku të jetë e nevojshme. Të shohim…