Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur më shumë të dhëna lidhur me vendimin e 12 marsit, për ngrirjen e kredive për të gjithë ato biznese dhe individë që për shkak të masave nga COVID 19, nuk arrijnë të shlyejnë detyrimet.
Në një komunikatë për shtyp, BSH sqaron se, një masë e tillë bëhet për të ndihmuar ata persona që u krijohen vështirësi për shlyerjen e detyrimeve sidomos gjatë periudhës vijuese 3 mujore, kur pritet që shpërndarja e virusit të arrijë pikun e vet.
Masat për riskedulimin e kësteve të kredisë hyjnë në fuqi në datën 13 mars 2020 dhe zgjasin deri në datën 31 maj 2020
Ato parashikojnë që, gjatë kësaj periudhe, ata kredimarrës individë dhe biznese, gjendja financiare e të cilëve përkeqësohet nga situata aktuale, mund të përfitojnë një shtyrje, deri në 3 muaj, të pagesave të kësteve të kredive të tyre, të marra nga institucionet financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë banka, jobanka dhe shoqëri kursim krediti.
Në këtë pikë, theksojmë se ky është një proces që bën të mundur vetëm riskedulimin e detyrimeve qe këta kredimarrës kanë, por jo falje të tyre , bëhet ditur nga BSH
Për të bërë të mundur këtë nevojitet që, të gjithë ata kredimarrës, biznese dhe individë, të cilët preken ekonomikisht dhe financiarisht nga kjo situatë, dhe që dëshirojnë të përfitojnë nga kjo lehtësi e ofruar, të kontaktojnë me institucionin financiar bankë, jobankë, shoqëri kursim krediti me të cilin kanë marrëdhënien e kreditimit dhe të informojnë këta të fundit mbi këtë kërkesë
Më pas, do të jetë institucioni financiar banka, jobanka, shoqëria e kursim kredititi i cili, në bashkëpunim me kredimarrësin, do të vlerësojë kërkesën dhe, bazuar në specifikat e rastit, do të ofrojë edhe zgjidhjen përkatëse. Ndërkohë, kredimarrësit, aftësia paguese e të cilëve nuk preket apo dëmtohet nga kjo situatë duhet të vijojnë normalisht shlyerjen e detyrimeve të tyre me këto institucione