Policia e Shtetit ka identifikuar në terren nga kontrollet mbi 100 persona që ditët e fundit kanë hyrë në Shqipëri nga Italia dhe nuk janë vetëkarantinuar duke shkelur rregullat. Personat në fjalë janë gjetur në Tiranë, Durrës, Fier dhe në Shkodër në makina dhe kafene. Ata janë shoqëruar nga policia në shtëpi dhe janë këshilluar që të mos dalin, ndërsa duke filluar nga nesër do të rikontrollohen nëse janë të vetëizoluar apo jo. Mes atyre që kanë shkelur rregullat e vetëizolimit 14 ditor janë edhe gra e vajza.
“Deri në këto momente, nga ora 17 00 dhe deri tani janë identifikuar mjaft persona që kanë ardhur nga Italia në periudhën 2 javore. Në Durrës, në Tiranë, në Fier, në Shkodër janë identifikuar persona nga këto kontrolle. Dhe është një numër që i kalon 100 persona. Durrësi, Tirana, Fieri, Shkodra dhe po ti mbledhësh të gjitha janë 100 persona që kanë hyrë 2 javët e fundit nga Italia” tha drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Albert Dervishaj.
Që prej orëve të pasdites, forca policore speciale të FNSH-së, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat e Posaçme “Shqiponjat” në bashkëpunim me patrulla ushtarake, kanë ngritur rreth 70 pika kontrolli në 8 qytetet kryesore dhe ato me risk të shtuar, për parandalimin e përhapjes së COVID19. Patrullat, të stacionuara apo të lëvizshme po vijojnë të kontrollojnë drejtuesit e mjeteve apo pasagjerët që ditët e fundit kanë udhëtuar në vendet e prekura gjerësisht nga koronavirus. Për këta qytetarë parashikohet të vetëkarantinohen deri në 14 ditë, në të kundërt Policia do ti gjobisë.
“Në kuadër të masave parandaluese për koronavirusin, të gjithë ata që hyjnë në Shqipëri dhe vijnë nga zonat e kuqe nga shteti fqinj Itali, zona në izolim, duhet të vetëkarantinohen për 14 ditë në shtëpitë e tyre, dhe do të jenë nën mbikëqyrjen e mjekëve. Nëse një person nuk e zbaton këtë urdhër, do të merren masa administrative siç parashikohen në nenin 35 të ligjit numër. 15/2016 për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive. Gjoba arrin deri në 5 qind mijë lekë të rinj ky ishte vendimi i marrë në datë 9 mars, por duket se nuk i ka trembur.
Kontrollet dhe më pas identifikimin, policia e bën në bazë të listës së marrë nga sistemi “Tims” të personave që kanë hyrë në Shqipëri në ditët e fundit nga Italia dhe vendet e tjera të prekura me koronavirus.