Prej më shumë se tre orësh, rasti i tij është bërë publik nga ish- kryeministri Berisha, i cili ka postuar disa mesazhe që i kanë shkuar. Madje, edhe nga vetë personi, i cili deklaron se ësht prej dy ditësh me temperaurë në banesën e tij në Tiranë, ku mesa duket, jeton i vetëm. Dhe nuk bëhet fjalë për një person të panjohur, por për Sokol Buliqin. Sportëdashësit, sidomos ata të boksit, e njohin pa dyshim sepse është një nga kampionët e padiskutueshëm të këtij sporti duke resgjistruar 8 tituj kombëtarë nga 1992 deri më 2003. Në kuadër të 100 vjetorit të Vllaznisë, Buliqi u nderua edhe me “Mirënjohje” nga Bashkia Shkodër, si një ndër më të mirët në një shekull histori të kuqebluve në disiplinën burrërore të boksit.

Madje, në vitet e fundit të karrierës u spostua në Tiranë, por vazhdonte të mbronte ngjyrat kuqeblu të Vllaznisë. Përveç 8 titujve kampion kombëtarë, Buliqi është edhe tre herë fitues i Kupës së Shqipërisë. Në historinë e boksit shqiptar ka edhe një rekord, pasi ka fituar ndeshjen për vetëm 9 sekonda me KO. Por siç duket, kjo nuk vlen. Të gjithë këto trofe nuk ndikojnë që sistemi shendetësor shqiptar, në një situatë të rëndë të përhapjes së virusit, ti ofrojnë shërbimin më minimal një ish- kampioni, akoma pa i mbushur 47 vite jetë.

Është më shumë se e turpshme një moskokëçarje e tillë ndaj çdo qytetari, por sidomos një kampioni. Aq më tepër që ai ka publikuar të gjitha kontaktet, duke nisur me adresën e deri tek numri i tij i telefonit. Vetëm pak minuta më parë kontaktoi me Buliqin edhe ShkodraWeb Media. Ai deklaroi qartë dhe shkurt se “Nuk eshte interesu askush nga 127 duke i shprehur shqetesimin tim.ju falenderoj shum per mbeshtetjen me respekt S.Buliqi.

Nuk ka nevojë për më shumë komente. Por është një rast evident që rrëzon të gjithë propagandën që po bëhet në “luftën” ndaj këtij virusi, siç equan kryeministri, ministrja e ministrat e kësaj qeverie. Më mirë vonë se kurrë, urojmë që këtë shkrim ta lexojë dikush dhe ti japë ndihmën e duhur një ish- kampioni të sportit shqiptar. /ShkodraWeb Media/