Ish-deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj ka vendosur të ndërprejë punën në kompanitë e tij në Tiranë, dhe të dërgojë në shtëpi rreth 1 mijë punonjës.

Shehaj, i cili është pronar i disa kompanive call center dhe web design, thotë se vendimi ka qenë i vështirë por i domosdoshëm për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Ai thotë se e ka përjetuar personalisht përhapjen e COVID në Milano, ku edhe ka tregun kryesor të kompanive të tij.

Reagimi i plotë i Agron Shehajt E vetmja mënyrë të pengohet një epidemi e mundshme është qendrimi i njerëzve brenda, i të gjithëve, dhe dalja vetëm për nevoja të domosdoshme, si blerja e ushqimeve dhe ilaçeve. Kjo nuk duhet të jetë zgjedhje e lirë, por detyrim

Për këtë arsye kam vendosur ndërprerjen e punës në kompanitë e mia në Tiranë të rreth 1 mijë punonjësve dhe aktivizimi i punës nëpërmjet Smart Ëorking.

Pjesa më e madhe e tyre do të kenë mundësinë që të punojnë nga shtëpia duke përdorur teknologjinë.

Është vendim drastik, por fatkeqësisht është e vetmja mënyrë e sigurtë për të ruajtur shëndetin e bashkëpunëtorëve të mi dhe familjeve të tyre. Kam përjetuar personalisht përhapjen e koronavirusit ne Milano dhe jam i bindur që duhet të mësojmë nga gabimet në Itali edhe të marrim menjëherë masa drastike.

Të gjitha përkujdesjet mund të ndihmojnë për ndalimin e epidemisë, por e vetmja gjë e sigurt është kufizimi në maksimum i kontaktit mes njerëzve.

Lutem dhe uroj me gjithë zemër që ta kalojmë këtë fatkeqësi pa pasoja njerëzore dhe kosto të mëdha.