Botuesi dhe pronari i Universitetit Evropian të Tiranës, Henri Çili ka dalë në një konferencë në hotel “Rogner” ku ka shpjeguar versionin e tij pas arrestimit të një jave më parë. Botuesi fillimisht, e nisi fjalën duke sqaruar se ndalimi i tij bashkë me dy bashkëpunëtorët, Betim Shkupi dhe Ilir Korbi, është kryer me shkelje të rënda.

“Gjatë gjithë këtyre ditëve shtypi dhe media është mbushur me versionin e prokurorisë ose policisë dhe besoj se është më minimalja të them versionin tim. Unë më 27 shkurt, Betim Shkupi dhe Ilir Korbi jemi ndaluar në shkelje të rënda procedurale, pa pasur asnjë precedent penal në jetën tonë. Nuk kisha asnjë rrezikshmëri për tu larguar , të prishja provat, apo të bëja një krim tjetër. Do ishte më mirë të thirresha në polici për sqarime, se sa ndalimi dhe pastaj arrestimi ishte i pajustifikuar në rrethanat ku një person ndalohet pastaj njihet me akuzën. Vendimi i Gjykatës së Përmetit hodhi poshtë masën duke normalizuar disi situatën, do kishte qenë më mirë hetim në gjendje të lirë” tha botuesi.

Ai sqaroi se përfshirja në çështje nuk ka lidhje me Universitetin Evropian të Tiranës, që është edhe prona e tij, por me studion e tij ligjore.

“Unë jam i përfshirë në çështjen si ortak në firmën legale ku kam 75% të aksioneve. Kam interes të ligjshëm si ortak, kam takuar pa negociuar, ndërmjetësuar me persona të ndryshëm në funksion të kontratave për shërbime juridike. Veprimi im në kuadër të kësaj studioje, kishte karakter parapërgatitor për të ndërtuar edhe vlerat e shërbimeve që do ofronin. Unë merrja përsipër fushatat e komunikimit mediatik për shkak të specifikës nga ish profesioni si gazetar”

Çili foli për akuzat e prokurorisë dhe e nisi me akuzën e parë, atë të mashtrimit. Ai hodhi poshtë akuzën se bashkë me kunatin do të mashtronte familjen Aliko dhe Yzeiraj. “Nuk kam kryer asnjë veprim të ligjshëm, nuk kam mashtruar askënd. Është marrëdhënie legale, janë bërë kontakte dhe biseda me familjarët për të arritur në një kontratë për shërbime juridike për mbrojtjen e klientëve të ndryshëm në shkallën e tretë, si rasti i dy çështjeve. Falsifikim. Nuk kam lidhje me këtë akuzë” u shpreh ai.

Botuesi vijoi më tej, ku sqaroi se nuk ka kryer as fshehje pasurie e të ardhurash.

“Nuk kam fshehur asgjë, sepse në dy çështjet që dyshohem, nuk kam bërë ansjë arkëtim dhe kontratë shërbimi në studion ligjore se kemi qenë në fazën e negocimit. Çështja e Feti Yzeirajt paraqiste urgjencë se duhej kapur rekursi në gjykatën e lartë” tha ai.

Teksa arriti tek akuza e ndikimit të paligjshëm që solli edhe një valë debati politik mes PD dhe PS, për takimin e pretenduar nga prokuroria mes botuesit dhe drejtuesit të një organi të lartë të drejtësisë, ai tha se nuk ka takuar as vetë personalisht një person të tillë, e as avokatët e tij. Çili tha: Nuk kam takuar asnjë gjykatës, as unë dhe as avokatët. Nuk kam takuar asnjëherë në jetë asnjë gjykatës për të ndikuar në vendime. Në funksionin tim si botues mund të takoj edhe njerëz të drejtësisë, por jo për ndikim.

Pronari i ‘Legal Studio’ foli edhe për dhurimin e apartamenteve nga Seit Fishta. Ai pranoi se njohja ka ardhur për sebep të një klienti por mohoi që dhurimi të ketë lidhje me lirimin e dy djemve të familjes “Aliko”

“Dhurimi i 2 njësive të shërbimit nga sipërmarrësi Seit Fishta është bërë me vullnet të lirë, janë paguar taksat. Kemi folur me Fishtën për ide dhe projekte. Kam marrë shkas nga një prej klientëve të mi, por konteksti dhe dhurimi nuk lidhen fare. Hapat e mëtejshëm, sigurisht që do apeloj masën ‘detyrim paraqitje’ do kërkoj pafajësinë dhe dëmshpërblimin”

Pak para se tja linte radhën pyetjeve të gazetarëve, Çili tha se vrasja e Ibrahim Bashës duhet të zbardhet. “Si qytetar, unë mendoj se çdo shkelje e ligjit duhet të marrë dënimin e merituar, aq më tepër vrasja e një polici në krye të detyrës, por kjo duhet bërë në respektim të ligjit.” tha ai.

I pyetur nga gazetarët nëse është viktimë e sulmit politik, Çili tha se mund të ketë persona të interesuar, por ai vetë nuk e beson një gjë të tillë. “Nuk jam viktimë e ndonjë procesi politik,, nuk jam i bindur se çështja duhet drejtuar politikisht. Kemi të bëjmë me një sistem skandaloz drejtësie. Gjyqtarët që kanë dhënë vendimin janë të pakaluar mga vettingu, kemi një protagonizëm të sëmurë drejtësie. Kjo çështje nuk shërben si bilanc i luftës ndaj krimit dhe korrupsionit. Marrëdhëniet e mia personale janë objekt i plotë i privatësisë. Çdo veprim imi për të mbështetur financiarisht, moralisht apo dhurim brenda ligjit është vullnet i imi personal, nuk kam kryer asnjë veprim në kundërshtim me ligjin. Mendoj se veprimi i lirë, përfshirë dhe studion ligjore, është në interes të publikut. Veprimtaria ime është frymëzuar nga respektimi i plotë i ligjit. Drejtësia është në gjendje alarmante dhe për këtë duhemi shqetësuar” tha ai.

Një nga gazetarët e pyeti botuesin “A keni premtuar lirim nga burgu?” por ky i fundit u shpreh Pyetja nuk ka kuptim. Çdo studio ligjore ka qëllim tiu japë klientëve të tyre dënimin më të lehtë ose lirimin, nëse është e mundur. Unë kam qëllimin të ec dhe të siguroj klientë. Por, unë nuk kam premtuar asgjë.

Në mbyllje ai e krahasoi gabimin në sistemin e drejtësisë, të njëjtë me keqkuptimin e tragjedisë së Shekspirit për shaminë e Dezdemonës. “Dy parime, ne dimë që drejtësia ka gabime të mëdha, deri te dënimet me vdekje. Pra, sistemi i gjithi mund të ndërtohet mbi një keqkuptim. Ju e dini tragjedinë e Shekspirit me shaminë e Desdemonës, cili është shkaku pres ta mësoj. Takimi me një zyrtar të drejtësisë nuk ekziston. Ka një keqkuptim tha ai.